Në 36-vjetorin e rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, bënë sot homazhe në nderim të tyre, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se më 2 nëntor 1989, Zhiti dhe Fazliu ranë heroikisht pas një beteje gjashtëorëshe me forcat jugosllave, duke zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe dëshmuar se populli i Kosovës nuk do të nënshtrohej.
Ai theksoi se jeta dhe vepra e tyre duhet të studiohen më shumë nga historianët.
“Para 36 vitesh heroikisht në ballafaqim të drejtpërdrejtë me forcat e Jugosllavisë ranë Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia, që të dy ishin shumë të rinj, Fahriu ishte 26 vjeç ndërsa Afrimi 24. Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen e popullit dhe sensibilizoi opinionin publik se në Kosovë ka një popull që nuk nënshtrohet dhe do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij. Më 2 nëntor 1989 Fahriu dhe Afrimi luftuan më shumë se gjashtë orë dhe kjo tregon se çfarë heronj të etur kanë qenë ata. Ata i paraprinë heronjve dhe dëshmorëve që vijnë pas tyre. Ka nevojë që jeta, vepra, rënia dhe konteksti politik i rënies heroike të studiohen edhe më shumë nga historianët dhe shkencëtarët, sepse liria e brezave të ardhshëm varet nga sa më mirë e përvetësojnë jetën dhe veprën e tyre që bënë gjithçka për lirinë e vendit”, ka deklaruar Kurti.
Kryeparlamentari, Dimal Basha theksoi se sakrifica e tyre u bë frymëzim për mijëra të tjerë që më pas u rreshtuan në rrugën e lirisë.
“Të dy këta ranë duke u ballafaquar me regjimin e atëhershme, por pas rënies së tyre u zgjuam dhe u inspiruam me mijëra të tjerë e që besoj që u kurorëzua me themelimin e UÇK-së. 36 vite më vonë jemi për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre prandaj lavdi jetës dhe veprës së tyre dhe gjithë dëshmorëve të tjerë.
Ndërkaq, ministrja Gërvalla u shpreh se duke nderuar Zhitinë dhe Fazliun, nderohen të gjithë ata që me idealin e lirisë i paraprinë shtetit të pavarur të Kosovës, duke theksuar se kjo liri duhet ruajtur e forcuar çdo ditë.
“Duke nderuar sot Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun nderojmë të gjithë ata breza të tërë të cilët me idealin e lirisë paralajmëruan atë që do të vinte, që brezi ynë është i pari që e shijon lirinë dhe shtetin e Kosovës. Mesazhi i ditës së sotme dhe ditëve të tjera është se këtë liri duhet ta dimë ta mbrojmë, ta duam dhe ta ndërtojmë të fortë shoqërinë tonë si borxh të pashlyer ndaj atyre që u sakrifikuan për këtë vend”, theksoi Gërvalla.

