Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka vizituar tre policët që po trajtohen në Qendrën Klinike dhe Universitare, pas lëndimeve që morën në aksidentin mbrëmë në veri të vendit.
Sveçla ka thënë se gjendja e tyre po përmirësohet, derisa ka shtuar se shkaqet e aksidentit po hetohen.
‘Me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional.
Teksa gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, falënderoj përzemërsisht të gjithë mjekët të cilët nga mbrëmë kanë bërë të pamundurën që policët tanë të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre. Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë”, ka shkruar Sveçla.
Aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:00 në fshatin Grabovc. Dyshimet janë se automjeti ka rrëshqitur dhe se ka dalë jashtë rrugës.
Rastin e ka konfirmuar Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
Ai tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00.
“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin, e po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca. Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njejtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, deklaroi mbrëmë Elshani.