Telenews

34-vjeçari rezulton i zhdukur prej 6 ditësh, dyshohet për ngjarje kriminale

Policia e Tiranës ka arrestuar një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, në lidhje me zhdukjen e një 34-vjeçari në Tiranë, raporton A2 CNN. Eglant Koçi rezulton i zhdukur prej 6 ditësh dhe për të nuk ka ende asnjë gjurmë.

Në pranga ka rënë 25-vjeçari, Enea Zyferi, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar. Ndërsa 41-vjeçari Armand Shakaj është shpallur në kërkim pasi dyshohet se e ka mbajtur peng Koçin.

I riu ishte i punësuar te një grup që dyshohej se merrej me kriptomonedha dhe call center-a. Sipas asaj që mëson A2 CNN, dyshohet se Koçi është vrarë.

“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast”, tha policia.

“Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit. Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve”.

Të ngajshme

Banorët e Drenasit pa ujë prej ditësh, kërkojnë rikthimin urgjent të furnizimit

Rrezarta Ramaj

Rritet interesimi për vaksinim kundër fruthit, mbi 1 mijë doza të dhëna në Prishtinë gjatë majit

Rrezarta Ramaj

Soni vazhdon të flasë për Florin: “Është si një gjë e papërmbyllur emocionalisht”

Rrezarta Ramaj