Telenews

Biden ia shuan ëndrrën Trumpit: Vetëm Zoti i Plotfuqishëm mund të më bindë të tërhiqem

Presidenti amerikan Joe Biden, me karrierën e tij politike prej pesë dekadash, këmbënguli në një intervistë televizive të premten se ai e ka edhe mprehtësinë mendore dhe qëndrueshmërinë fizike për të fituar zgjedhjet kundër ish presidentit Donald Trump, dhe për ta drejtuar vendin edhe për katër vite të tjera.

“Unë jam personi më i kualifikuar dhe di si t’i bëj gjërat”, i tha presidenti Biden gazetarit të ABC Neës, George Stephanopoulos në një intervistë 22 minutëshe. Më herët të premten ai siguroi mbështetësit e tij në Wisconsin se “do të qëndroj në garë”.

Disa ligjvënës demokratë në Uashington privatisht dhe gjithnjë e më shumë edhe publikisht, kanë shprehur shqetësimin se presidenti Biden, 81 vjeçar, nuk e ka më kapacitetin mendor dhe fizik për t’u përballur me ish presidentin Trump gjatë katër muajve deri në zgjedhjet e 5 nëntorit, e lëre më të qeverisë vendin përgjatë katër viteve të ardhshme.

“Nëse Zoti i Plotfuqishëm do të zbriste dhe do të thoshte, ‘Joe, dil nga gara’, unë do të dilja nga gara. Por Zoti i Plotfuqishëm nuk do të zbresë”, tha presidenti Biden gjatë intervistës.

Frika e demokratëve se koha e presidentit Biden në pushtet po i afrohet fundit është shtuar që kur ai u shfaq i hutuar gjatë debatit me ish presidentin Trump një javë më parë, herë pas here duke humbur rrjedhën e mendimit dhe duke dështuar të sulmojë zotin Trump ose të mbrojë punën e tij.

“Isha i rraskapitur”, tha ai duke folur për natën e debatit. “Po ndihesha tmerrësisht keq… një ftohje e keqe”. Ai tha se paraqitje e dobët nuk ishte “faji i askujt përveç i imi. Ishte një episod i keq”.

Por presidenti Biden ishte vigjilent të premten dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Stephanopoulos me më pak hezitim. Ai ishte i etur për të sulmuar ish presidentin.

“Trump është një gënjeshtar patologjik,” tha presidenti Biden, duke theksua se ai burrë “është një gënjeshtar i lindur”. Presidenti Biden citoi lajme që thanë se ish presidenti Trump kishte thënë 28 gënjeshtra gjatë debatit 90 minutësh.

Gazetari Stephanopoulos tha se ish presidenti Trump refuzoi ftesën për një intervistë me kanalin ABC.

Prezantuesi i lajmeve, një nga gazetarët më të shquar në Shtetet e Bashkuara, e pyeti presidentin Biden nëse kishte bërë ndonjëherë një test neurologjik dhe presidenti u përgjigj duke thënë: “Unë bëj një test të plotë neurologjik çdo ditë”, duke u marrë me çështje botërore dhe të brendshme.

Pas paraqitjes së dobët të presidentit Biden në debat, anketa të shumta treguan se zoti Trump, kandidati i supozuar republikan, po përparon në garë. Pasi fitores së zoti Biden në vitin 2020, kjo do të jetë hera e parë që të njëjtët kandidatë të partive kryesore vihen në garë në zgjedhjet e njëpasnjëshme presidenciale, që nga viti 1956.

Presidenti Biden kundërshtoi anketat ndërsa i siguroi mbështetësit e tij në tubimin në Madison, Wisconsin se “unë jam duke kandiduar dhe do të fitoj përsëri”.

“Unë e munda Donald Trumpin”, tha zoti Biden, ndërsa turma brohoriste dhe valëviste shenjat e fushatës. “Unë do ta mund atë përsëri”.

Tre gazeta kryesore amerikane, The New York Times, The Washington Post dhe The Wall Street Journal, kanë raportuar ditët e fundit se gabimet e zotit Biden janë bërë më të shpeshta muajt e fundit, me disa zyrtarë perëndimorë që thonë se vunë re rënien e tij të dukshme në takimin e G-7-tës në Itali.

Sjellja dhe mprehtësia e presidentit Bideni përgjatë intervistës me gazetarin Stephanopoulos, është e sigurt se do të analizohen, jo vetëm nga zoti Trump dhe ndihmësit e tij, por nga demokratët që mëdyshen nëse kandidati i tyre është në gjendje të përballet me zotin Trump, i cili është 78 vjeç, dhe po ashtu ndonjëherë ka folur gabimisht.

Në tubim, presidenti Biden bëri lojë me gabimet e tij, duke cituar një nga komentet e fushatës së zotit Trump, kur ish presidenti tha se “ushtria e Geroge WËashingtonit fitoi revolucionin duke marrë kontrollin e aeroporteve nga britanikët”.

Ndërsa turma qeshte, zoti Biden vazhdoi: “dhe më thoni pastaj se unë po ngatërrohem”.

Shumica e demokratëve vazhdojnë mbështetjen për presidentin Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris, por disa kanë sugjeruar se partia do të ishte më mirë sikur zoti Biden të largohej dhe zonja Harris të merrte përsipër garën.

Partia Demokratike mban konventën e saj në muajin gusht, duke i lënë partisë pak kohë për të vendosur për kandidatin e saj presidencial./VOA/

Të ngajshme

Detaje tronditëse – U përplasë nga një veturë teksa ishte në shiritin emergjent në autostradën “Arbën Xhaferi”

Donat Hashani

Pas paraqitjeve “live” në Tik Tok, Hajrizi lajmërohet edhe në emision: S’jam as në Kosovë e as në Ballkan (VIDEO)

Donat Hashani

OVL e UÇK-së në Ferizaj kërkon nga Shkupi lirimin e menjëhershëm të Blerim Ramadanit

Donat Hashani