Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur skandaloze paraqitjen e sotme në konferencë të Rozeta Hajdarit, ministres në detyrë të Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka theksuar se askush nuk e ndjek Hajdarin politikisht, siç tha ajo, sot në konferencë kur foli për skandalin me rezervat shtetërore.
“Çfarë paraqitje skandaloze nga Rozeta Hajdari. Paska thënë se po e “ndjekin politikisht”. Jo, Rozetë. Nuk të ndjek askush politikisht. Aktakuza që e ke mbi supe është për milionat e abuzuara si Ministre me rezervat shtetërore”, tha Çitaku.
Çitaku deklaroi se Hajdari në politikë nuk ka bërë asgjë, nuk ka peshë politikë dhe nuk ka asnjë kontribut.
“Ajo që ke bërë është abuzimi me detyrën dhe lejimi që të instrumentalizohesh nga Albin Kurti. Kaq është e gjithë historia”.
“Dhe sot, në vend që të përballesh me drejtësinë, del e sulmon Prokurorin që po bën punën e tij, implikon AKI-në, dhe mbron atë që të ka dhënë urdhra”, tha Hajdari.
Deputetja e PDK-së, në fund, tha: “Askush nuk është mbi ligjin Rozetë. As ata që abuzuan, as ata që i urdhëruan”.

