Kosova ka një mundësi historike përmes organizimit të Lojërave Mesdhetare, thotë Astrit Hasani, kryetar i Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Ai vlerëson se marrja e këtij organizimi nuk është rastësi, por rezultat i punës së madhe, lobimeve të shumta dhe përpjekjeve serioze që qëndrojnë pas vendimit.
Sipas tij, Lojërat Mesdhetare nuk janë thjesht një aktivitet sportiv, por një projekt i madh që e ngrit imazhin e Kosovës dhe dëshmon se vendi ka kapacitetet për të organizuar ngjarje ndërkombëtare me peshë.
“Është një sukses i jashtëzakonshëm. Dikush që mendon se nuk ka pasur ndoshta interesim, ose shtetet nuk kanë pasur interesim dhe e ka marrë Kosova, gabon shumë rëndë dhe nuk është mirë as të mendohet kështu. Dubet të bëhen shumë lobime, janë shumë prapaskena për të ardhur deri te një sukses i jashtëzakonshëm siç ka qenë marrja e Lojërave Mesdhetare. Kjo jo vetëm që i ndihmon infrastrukturës sportive në Kosovë, që i ndihmon të rinjëve që të kenë më shumë ambiente të përshtatshme për ta zhvilluar sportin të cilin ata e preferojnë, është ngritje edhe e imazhit të shtetit të Kosovës sepse tregon që ne kemi kapacitete për të organizuar kampionate, që jemi shtet serioz, komunë e Prishtinës shumë serioze dhe që dimë, duam dhe duhet të ia dalim patjetër. Nevojitet një ndihmë shumë e madhe po ashtu edhe nga shteti, mirëpo edhe nga të gjithë njerëzit, nga vullnetarët që t’i tregojmë botës që ne mund të organizojmë Lojëra Mesdhetare dhe atë shumë suksesshëm”, theksoi Hasani.
Ai kërkon në mënyrë të qartë që politika të lihet anash dhe që të gjitha institucionet të fokusohen në plotësimin e të gjitha kërkesave që sjell ky projekt madhor. Hasani konsideron se ky është një interes nacional dhe se koordinimi me Komitetin Olimpik dhe partnerët ndërkombëtarë duhet të jetë i vazhdueshëm. Sipas tij, organizimi i Lojërave Mesdhetare nuk është çështje që mund të merret lehtë dhe kërkon punë të pandërprerë.
“Unë mendoj që nëse nuk ka fokus të jashtëzakonshëm të shtetit të Kosovës, duhet lënë të gjitha diferencat politike sepse kur vjen kjo është interes nacional dhe duhet konsultuar pa ndërprerë me presidentin e Komitetit Olimpik dhe me akterët tjerë ndërkombëtar të sportit dhe të jenë në dispozicion tërë kohën për të gjitha check list (listën e kontrolleve) që duhet plotësuar sepse nuk është hajgare të merren Lojërat Mesdhetare. Duhet të merret shumë seriozisht kjo punë, të gjitha diferencat duhet të lihen, të gjithë të bëhen bashkë dhe të punojmë dië e natë dhe të sigurohemi që ne do t’i organizojmë Lojërat Mesdhetare”, shtoi Hasani.
Hasani nënvizon se çdo lëshim apo dështim do të kishte pasoja të rënda për imazhin e Kosovës. Ai paralajmëron se në rast të mosmenaxhimit të duhur të këtij projekti, do të dëmtohej jo vetëm shteti, por edhe sportistët dhe vetë autoritetet sportive që përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare. Ai shton se mungesa e suksesit do të krijonte pikëpyetje për aftësinë e Kosovës për të udhëhequr projekte të tilla edhe në të ardhmen.
“Ta keni parasysh, le ta dinë të gjithë që nëse nuk do të jenë lojëra të suksesshme, do të dëmtoheni të gjithë, jo vetëm imazhi i shtetit të Kosovës por edhe sportistët, edhe trajnerët edhe zyrtarët tjerë evropian sepse nëse do të dështojë të tjerët do të thonë: ‘Pse nesër të votohet Astriti i Kosovës kur ata nuk janë të aftë një organizim që r kanë marrë t’i dalin në ballë atij organizimi. Do të thotë është shumë serioze.”, deklaroi Hasani.

