Autoritetet në Serbi kanë arrestuar sot një person, i cili ishte i kërkuar ndërkombëtarisht, për kryerjen e disa veprave penale.
Siç raportuan mediat serbe, i dyshuari në fjalë akuzohet të ketë kryer vrasje në Kosovë, teksa ishte arratisur edhe nga burgu.
Burime pohojnë se personi në fjalë është Gjorgj Radomiroviq.
Radomiroviq ishte arratisur nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë të Veriut, më 7 gusht të këtij viti.
Pas arratisjes së tij, Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte pezulluar nga detyra drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, një mbikëqyrës të lartë dhe dy zyrtarë korrektues.
Radomiroviq ishte dënuar më 14 vjet e 6 muaj burg, për një vrasje të kryer në Kosovë.
Ai po ashtu kishte kryer disa vepra penale, përfshirë “Tentim vrasje”, “Posedim i armëve dhe substancave të dyshuara narkotike” si dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Mediat në Serbi bënë me dije se Radomiroviq u arrestua sot në Novi Pazar, aty ku po fshihej.
I dyshuari është i lidhur me disa grabitje të kryera në zonën e Novi Pazarit, përfshirë dhe grabitjen e një banke.

