NASA synon që më 6 mars të nisë një ekuipazh rreth Hënës, për herë të parë në më shumë se 50 vjet.
Misioni Artemis II do të shohë katër astronautë të nisin një udhëtim 10-ditor rreth anës së largët të Hënës dhe të kthehen në Tokë, duke hapur rrugën për një ulje të ardhshme hënore, shkruan BBC.
NASA caktoi datën e lëshimit pas një “prove të suksesshme gjenerale” – një provë kritike para lëshimit, ku raketa mbushet me karburant dhe kalon nëpër sekuencën e numërimit mbrapsht.
Ishte përpjekja e dytë e ekipit Artemis për një provë në Qendrën Hapësinore “Kennedy”, në Florida.
Prova e parë, e cila u zhvillua në fillim të shkurtit, përfundoi para kohe për shkak të një rrjedhjeje karburanti hidrogjeni në platformën e lëshimit.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Lori Glaze e NASA-s tha se problemet, përfshirë ato me guarnicionet dhe filtrat, tani ishin zgjidhur.
“Dje ne ishim në gjendje ta mbushnim plotësisht raketën SLS brenda afatit kohor të planifikuar […] ne gjithashtu demonstruam me sukses numërimin mbrapsht të lëshimit,” tha ajo.
Tre amerikanë – Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch – dhe një kanadez, Jeremy Hansen, përbëjnë ekuipazhin e Artemis II.

