Policia franceze ishte duke marrë në pyetje një nxënës që të martën theri për vdekje një asistente shkollore 31-vjeçare, përderisa çantat e nxënësve po kontrolloheshin jashtë portave të një shkolle në Nogent, në verilindje të Francës.
I dyshuari ishte duke u mbajtur në një qendër të xhandarmërisë në Nogent, thanë autoritetet lokale të prefekturës Haute-Marne, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Përderisa po kujdeseshim për fëmijët tanë në Nogent, një asistente arsimore e humbi jetën e saj, viktimë e një vale të pandjenjë të dhunës” – shkroi presidenti francez, Emmanuel Macron, në rrjetin social X.
“Kombi është në zi dhe qeveria është e mobilizuar për ta pakësuar krimin” – shtoi ai.
Në disa media thuhet se i dyshuari është nxënës 15-vjeçar.
Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte menjëherë këtë informatë.
Më herët të martën, në Graz të Austrisë u raportua për një sulm me armë në një shkollë.
Dhjetë njerëz u vranë, përfshirë sulmuesin. Thuhet se shtatë nga të vrarët ishin nxënës të shkollës.