Nga muaji i ardhshëm paga minimale në Kosovë pritet të rritet nga 350 në 425 euro bruto, vendim ky i bërë i ditur sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Megjithatë, nga komuniteti i biznesit ky vendim po konsiderohet politik, si dhe i ngutshëm, pasi që sipas tyre, është marrë pa konsultim dhe pa analizë të thelluar.
Ndërkaq, sipas njohëseve të ekonomisë ky vendim për pagën minimale mund të ndikojë në rritje të informalitetit sa i përket deklarimit të pagave për punëtorë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se vendimi për pagën minimale është marrë me procedurë të shpejtuar dhe pa analizat e nevojshme.
“Ka qenë një ftesë shumë e shpejtë, që brenda 24 orëve të takohemi dhe të vendosim për pragun e pagës minimale nga ana e ish-ministrit të Financave të cilën e kemi refuzuar për arsyeje se është çështje që kërkon studim dhe hapësirë më të madhe. E keqja më e madhe e kësaj qeverie ka qenë që gjitha vendimet që janë marrë që kanë prek biznesin janë marrë pa një studim të hollësishëm dhe konsultim me sektorin privat, mirëpo gjithmonë biznesi është befasuar. Nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, jemi për të bërë një studim, dhe t’i, japim hapësirë biznesit që me ardhur me një qëndrim ose vendim konkret me propozim se sa duhet të jetë paga minimale. Nuk po themi që paga minimale e propozuar që është e lartë apo e ulet, mendojmë se nëse do të jepnin hapësirë dhe kohë të analizojmë dhe të shkojmë me një propozim konkret tek qeveria sa i përket pagës minimale ndoshta kish me qenë edhe me e lartë se kaq. Është shqetësim tek bizneset që po merren vendimet kaq shpejtë, pa konsultim”, thotë Rafuna. /Kosovapress

