Telenews

10 ditë pas përurimit mbyllet tuneli i Kurrizit, ky është shkaku

10 ditë më parë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, së bashku me kabinetin e tij, i përuroi punimet e papërfunduara në tunelin e Kurrizit. Por, tuneli vazhdon të jetë i mbyllur, pasi edhe asfalti i saposhtruar ka pësuar dëmtime. E vetë projekti nuk u realizua ashtu siç iu prezantua qytetarëve në vitin 2022.

Të shtunën e 28 qershorit u përurua me bujë të madhe nga drejtuesit e Komunës tuneli nën Kurriz, por realiteti nuk është ashtu siç u prezantua ne videot e institucionit.

E qytetarët ankohen se nuk janë larguar kundërmimet, ashtu siç iu është prezantuar vite më parë projekti nga komuna e Prishtinës.

“Nuk është keq, mirë është punuar, por janë disa defekte. Tymi i lokaleve duhet të largohet. Përmbi s’e di sa ndikon, pra a do të grumbullohet uji kur bie shi, se disa xhama këtu janë të thyer e ato nuk janë rregulluar”, tha një qytetar.

Përderisa, një qytetar tjetër kërkon sqarime nga kryetari Rama për disa ndryshime.

“Le ta shpjegojë kryetari ose ideatori se me çfarë logjike është kjo njëkahshe dhe rruga nga shkolla “Xhemajl Mustafa” njëkahëshe në të njëjtin drejtim. Ndërsa nga Termokosi deri te KEDS-i është dykahëshe, le të na shpjegojë. Shenjat e komunikacionit janë në mes të trotuarit. Vetëm le të na shpejgon logjiken nëse e ka”, tha ai.

Përkundër kritikave të shumta, komuna e Prishtinës mbetet e vendosur që të mos deklarohet për KTV-në, as kur bëhet fjalë për sqarimet që i kërkojnë qytetarët.

Punët e ngutshme, sipas asamblistit të PDK-së në Prishtinë, Granit Geci, janë bërë për shkak se zgjedhjet lokale po afrohen.

“Kurrizi është njëri nga ikonat e kryeqytetit historik dhe në kuptimin infrastrukturor të lagjes “Dardania”. Në momentin kur kanë filluar punimet, janë mirëpritur nga të gjithë qytetarët. Projekti i tunelit është shoqëruar me vonesa të shumta të përfundimit të punimeve. Gjatë punimeve janë manovruar disa punime që kanë qenë të parapara në projekt. Tashmë kemi prishje të asfaltit, nuk gjenden hapësirat publike dhe të përbashkëta të parapara në këtë tunel. Ka kundërmim dhe siç duket nuk po funksionon”, tha Geci.

Përveç punimeve të kryera jo si duhet, mungojnë edhe shumë punë të cilat ishin prezantuar nga ana e komunës së Prishtinës para banorëve të lagjes së “Dardanisë” në tetor të vitit 2022.

Në projekt parashiheshin të bëheshin edhe wc publike, shitore, bar-kafe, e po ashtu një skenë lëvizëse, e cila parashihej të zbritej nga platoja e tunelit, në rastet kur organizohen koncerte, por që asnjëra prej tyre nuk është kryer.

Sot këtij tuneli i janë vënë shiritat dhe nuk do të jetë funksional e Komuna ende nuk ka lëshuar ndonjë njoftim se pse ka ndodhur kjo, me gjasë punimet do të vazhdojnë ende.

Të ngajshme

Arrestimi i pesë policëve për vdekjen e 27-vjeçarit, IPK: Janë ndaluar për 48 orë

KushtrimGuraj

Vdes në QKUK edhe i riu i dytë nga vetaksidenti në Treboviq të Pejës

KushtrimGuraj

Gjendje e rënduar me zjarret, vetëm sot janë raportuar 57 raste

KushtrimGuraj