Telenews

17 vjet nga vrasja e Triumf Rizës, si shkoi gjykimi ndaj Enver Sekiraqës?

Kanë kaluar fiks 17 vjet, prej kur u vra Triumf Riza, ish-zyrtari Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, e deri më sot gjatë gjithë kësaj periudhe vazhdoi gjykimi për nxitjen e ekzekutimit të tij.

Dënimi i atij që shkrepi këmbëzën e armës në vitin 2007 qe më e lehtë për sistemin e drejtësisë në Kosovë, pasi Arben Berisha ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 35 vjet burgim.

Por i gjatë doli të ishte gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, që akuzohej për nxitjen e kësaj vrasjeje.

Nga viti 2014 prej kur nisi ky gjykim, njëherë nga EULEX-i e më pas nga gjykatat vendore, këtë të premte Sekiraqa u shpall fajtor për të tretën herë, por secilën radhë me dënim më të ulët.

Në vitin 2016, Sekiraqa u dënua me 36 vjet burgim, ndërsa në rigjykimin e vitit 2019 me 30 vjet burgim, përderisa këtë herë me 25 vjet.

Aktakuza që ishte bërë publike, Enver Sekiraqën e përshkruante si gangster të Prishtinës, teksa tregonte në detaje se si kishte ardhur deri tek akti mizor.

Aty Prokuroria sqaronte se Arben Berisha, shok i afërt i Sekiraqës, i nxitur nga ky i fundit kishte shtënë pas shpinës së Triumf Rizës, me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

Vrasjes, aktakuza i jep motiv hakmarrjen personale të Enver Sekiraqës ndaj viktimës.

Po ashtu, aty tregohet se në vitin 2006, në një klub nate të quajtur “Swiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme në mes të Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës, ku ky i fundit ishte bërë për spital.

Nga ana tjetër dikur kafeneja e Enverit, që si emër mban mbiemrin e tij “Sekiraqa”, ishte sulmuar në vitin 2007.

Këtë veprim dyshohet se e kishin bërë disa policë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Nga shpërthimi i fuqishëm, mbetën të vrarë dy persona dhe 11 u lënduan.

Për këtë rast me vendim të formës së prerë, me nga 25 vjet janë dënuar ish-pjesëtarët e njësive speciale të Policisë, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, mirëpo rasti nuk ka përfunduar akoma.

source

Të ngajshme

Basha në aksion pas dështimit në KiE, krahason kryediplomatin shqiptar me atë bjellorus

Mbyllet Aeroporti i Mynihut

Donat Hashani

Lushtaku për mosanëtarësimi në KiE: Kaq poshtë ka rënë Kosova nën udhëheqjen e këtyre recituesve qesharakë