Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.V, për shkak të veprave penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.11; dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Nëpërmjet një komunikate, kjo gjykatë ka sqaruar se trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sahit Krasniqi – kryetar i trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin F.V, e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi për veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tetëmbëdhjetë (18) vjet, si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj.
Konform nenin 76 të KPRK-së, trupi gjykues të pandehurit i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej nëntëmbëdhjetë (19) vjet, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.