Protestat studentore dhe qytetare në Serbi po vazhdojnë me intensitet edhe këtë javë, me bllokime para institucioneve kryesore në disa qytete.
Në Novi Sad, para ndërtesës së organeve gjyqësore, studentët dhe qytetarët po kërkojnë lirimin e tre aktivistëve, që ndodhen ende në paraburgim.
Edhe pse punonjësve u është lejuar hyrja në objekt deri në orën 11:00, bllokada pjesërisht mbetet aktive tash e 12 ditë, raportojnë mediat lokale.
Protestuesit kanë vendosur edhe një gardh shtesë përballë atij të vendosur më parë nga “Parking Servisi”, për të garantuar qasje të sigurt për të punësuarit.
Ndërkohë, në Nish, bllokimi i ndërtesës së Rektoratit ka hyrë në ditën e gjashtë, ndonëse ishte paralajmëruar të zgjasë vetëm tre ditë.
Studentët shprehen të zhgënjyer nga mungesa e dialogut me rektorin dhe dekanët, duke deklaruar se ndonëse kishin një premtim për nënshkrimin e një platforme, kjo nuk ka ndodhur ende.
“Komunikimi vazhdon vetëm përmes telefonit, ndërsa asnjë nga stafi nuk është paraqitur sot në punë”, thanë studentët për mediat.
Në shenjë përshkallëzimi, është bllokuar edhe fizikisht Fakulteti i Teologjisë, duke zgjeruar kështu fushën e protestës dhe shtuar trysninë për përmbushjen e kërkesave politike dhe qytetare.