Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu ka përgatitur një tekst në të cilin flet në shkallën superlative për bashkëshorten e tij, presidenten, Vjosa Osmani. Krenohet se Serbia s’arriti t’i bind shtetet që na njohën të na ç’njohin. Por s’përmend askund debaklin e vërtetë. Atë që Kosovën se njohu asnjë shtet as këtë vit.
Zotëriu i parë po konsideron se bashkëshortja e tij ka thyer të gjitha rekordet brenda këtij viti sa i përket takimeve të zhvilluara.
“Një agjendë ndërkombëtare, e cila theu të gjitha rekordet brenda këtij viti kalendarik, brenda së cilës Presidentja zhvilloi rreth 𝟐𝟎𝟎 𝐭𝐚𝐤𝐢𝐦𝐞 dhe diskutime me krerë shtetesh dhe qeverish, duke përfshirë 𝟑𝟕 𝐯𝐢𝐳𝐢𝐭𝐚 shtetërore, zyrtare dhe të punës. Të gjitha këto, jo brenda një mandati, por brenda këtij viti!“, shkroi ai në Facebook.
“Një përpjekje e jashtëzakonshme dhe e pandërprerë për avancimin e interesave të Kosovës dhe të qytetarëve të saj në skenën ndërkombëtare. Ndër këto takime përfshihen 107 takime dhe bashkëbisedime të nivelit të lartë me krerë shtetesh nga 66 vende të botës dhe 92 takime me krerë qeverie nga 44 vende të botës”, vazhdon ai.
Sadriu harron të cek debaklin e pësuar në Politikën e Jashtme, ku as edhe këtë vit asnjë njohje nuk i erdhi Kosovës, por thekson se Osmani zhvilloi takime sipas tij “të rëndësishme”, me shtetet që nuk e njohin Kosovën.
Dhjetëra takime formale me vende që nuk e kanë njohur ende formalisht Kosovën, përfshi shtete të rëndësishme rajonale si: Spanja, Kenia, Selia e Shenjtë (Vatikani), Kazakistani, Nigeria dhe Indonezia. Dëshmi e qasjes strategjike dhe njohurisë së thellë të kompleksiteteve të marrëdhënieve ndërkombëtare me synimin për t`i forcuar aleancat dhe partneritetet e Kosovës”.
“Angazhim dinamik dhe sistematik i Presidentes Osmani ka bërë që në gjitha kontinentet e botës të ndërtohet një rrjet i qëndrueshëm i miqve dhe aleatëve, i cili do të shtrihet përgjatë viteve dhe dekadave në vijim”, potencon tutje Zotëriu i Parë.
Madje ai shkon më tutje duke u krekosur për atë se Serbia nuk arriti të bind shtetet që njohin Kosovën, ta ç’njohin. Ironi, arritje shumë e madhe?
“Presidentja ka arritur të rikthejë dhe t`i konfirmojë të gjitha njohjet, duke takuar krerët e shteteve nga 12 vende të botës, për të cilat Serbia, në fillim të këtij vit ka pretenduar se e kanë çnjohur Kosovën. Në këtë rrafsh, Serbia ka pësuar një debakël të pastër diplomatik”.
“Përmes politikës së jashtme proaktive e vizionare, Kosova tashmë është rikthyer si lidere rajonale, duke e ngritur ndjeshëm praninë dhe ndikimin e saj në skenën ndërkombëtare”, përfundon ai.