Telenews

21.6% e familjeve në Kosovë s’e përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë

21.6%-e-familjeve-ne-kosove-s’e-perballojne-mbajtjen-e-shtepise-te-ngrohte

Varfëria energjetike mbetet shqetësim serioz social për qytetarët viteve të fundit. Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se 21.6 për qubd e ekonomive familjare e kanë të vështirë ta mbajnë shtëpinë mjaftueshëm të ngrohtë gjatë dimrit.

Sipas Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës, edhe pse 78.4% e familjeve deklarojnë se e përballojnë këtë kosto, pjesa tjetër nënkupton se afërsisht çdo e pesta familje në Kosovë përjeton vështirësi për të siguruar temperatura të përshtatshme në ambientet e banimit.

Kjo situatë zhvillohet në një kontekst ku kostoja e jetesës dhe shpenzimet për energji janë rritur dukshëm. Presioni u shtua veçanërisht pas shkurtit 2022, kur vendosja e “bllok-tarifës” i dha fund çmimeve unifmore dhe rriti ndjeshëm faturat e konsumatorëve që tejkalojnë pragun prej 800 kWh, shkruan Nacionale.

Për familjet që mbështeten te energjia elektrike për ngrohje, ndryshimi i tarifave gjatë katër viteve të fundit ka qenë i theksuar:

Tarifa e ditës (>800 kWh): Është rritur me 129%, duke shkuar nga 6.75 cent në vitin 2021 në 15.43 cent në maj 2025.

Tarifa e natës (>800 kWh): Ka shënuar një rritje rekorde prej 152%, duke kërcyer nga 2.89 cent në 7.28 cent.

Kronologjia e shtrenjtimeve

Goditja në buxhetin familjar nuk erdhi si një rritje e vetme, por si efekt kumulativ i disa vendimeve radhazi. Së pari, bllok-tarifa e vitit 2022 rriti çmimet për konsum të lartë me rreth 85% (ditën) dhe 104% (natën).

Më pas, në prill 2023, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) aplikoi një rritje lineare prej 15% për të gjitha kategoritë, si reagim ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Së fundi, në maj 2025, tarifat u rritën edhe për 16.1%, duke e çuar tarifën e lartë (përfshirë edhe për konsum nën 800 kWh) në 9.05 cent/kWh.

Thellohet hendeku import-prodhimi

Përtej tarifave, të dhënat e ASK-së për nëntëmujorin e parë të vitit 2025 evidentojnë një disproporcion shqetësues në bilancin energjetik.

Ndërsa prodhimi vendor është zvogëluar rreth 20%, kërkesa është mbuluar gjithnjë e më shumë përmes importit, i cili është rritur me 48% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Në praktikë, kjo e bën sistemin më të varur nga çmimet e jashtme dhe nga luhatjet e tregut, duke rritur rrezikun që kostot të reflektohen në tarifa.

Ndërkohë, ZRrE ka njoftuar nisjen e procesit të shqyrtimit të tarifave për vitin 2026. Megjithatë, institucioni ende nuk ka sqaruar nëse (dhe në çfarë mase) ky disbalancë mes prodhimit vendor dhe importit do të përkthehet në barrë shtesë për qytetarët.

Të ngajshme

Moti sot

Erzana Fazliu

Vërshimet në Vushtrri, Idrizi merr vendim për ngritjen e gatishmërisë emergjente

KushtrimGuraj

Kusari-Lila takohej e “fliste aq familjarisht” me politikanen serbe, një muaj pas sulmit në Banjska

KushtrimGuraj