Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi që u refuzuan 21 amendamente të kësaj partie për buxhetin e Kosovës.
Abidixhiku përmes një postimi në Facebook, shkroi se me këtë refuzim u mohua jo vetëm zhvillimi, por edhe interesi publik.
“21 amendamente të LDK-së për Buxhetin e Kosovës u refuzuan. Me to u refuzua zhvillimi. U refuzua e ardhmja. U refuzua interesi publik. Fundja nuk ishin të LDK-së, ishin të vet Kosovës. Ndër amendamentet më të rëndësishme që shumica vendosi t’i bllokojë ishin projekte jetike për qytetarët dhe shtetin”, shkroi ai.
Ai renditi edhe disa nga projektet e bllokuara:
“Unaza e Kryeqytetit, mësimi tërëditor në shkolla, digjitalizimi i shëndetësisë dhe i të gjitha shkollave, ndërtimi i Spitalit të Prishtinës, si dhe memorialet e Kosharës dhe muzeu i Lubeniqit.
Ky nuk ishte refuzim teknik. Ishte refuzim politik i vizionit, i zhvillimit dhe i përgjegjësisë shtetërore. Dhe për këtë ndjejmë vetëm keqardhje. Keqardhje që fëmijëve u mohohet mësimi tërëditor si çdo fëmije tjetër në Evropë. Keqardhje që pacientëve u mohohet shërbimi dinjitoz e modern me shekullin e sotëm. Keqardhje që Kryeqytetit i mohohet zhvillimi, i mbahet kaosi e ngufatja. Keqardhje që historia trajtohet pa ndjeshmëri, Kosharen e Lubeniqin e përdorin vetëm për vizita fotografike”.
Abdixhiku njoftoi se LDK do të vazhdojë të avokojë për projekte që synojnë zhvillimin real dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“LDK do të vazhdojë të avokojë dhe të shtyjë përpara projekte të jetës reale, të ekonomisë reale dhe të vizionit zhvillimor të vendit tonë., shkroi në Facebook.

