Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me 25-vjetorin e rënies së heroit, Ilaz Kodra.
Ai ka treguar se me heroin Ilaz Kodra ishin së bashku në betejën e Qafë Mullarit në ditën kur u vra vëllai i tij, Luani dhe u plagos Rafet Rama.
“Në atë betejë, isha bashkë po ashtu me Fehmi e Xhevë Lladrovcin, Abedin Rexhën, Ali Ahmetin, Ramiz Lladrovcin, Gani Ramën, Selim Krasniqin dhe Emrush Xhemajlin”, ka shkruar kreu i AAK-së.
Ai ka thënë se që nga ajo ditë kishin besim të madh se heroi në fjalë do të bëhet shtyllë e luftës çlirimtare.
“Ashtu edhe ndodhi, ai luftoi heroikisht deri në rënien heroike në vendin e tij të dashur, në Drenicë, me bashkëluftëtarët e tij trima. Në këtë datë kujtojmë po ashtu, dëshmorët dhe martirët e rënë në Vërboc, Shtuticë, Tërstenik, Dashec, Baks, Gllobar dhe fshatrat përreth”, ka shtuar Haradinaj.
Haradinaj është shprehur se në këto treva, shpirti i qëndresës është i përjetësuar dhe se mbesë në kujtesën historike si simbole të guximit për atdheun.
“Lavdi e përjetshme!”, ka përfunduar i pari i partisë opozitare.

