40 fëmijë në shkollën “Selman Riza” në Fushë Kosovë e kanë braktisur shkollimin. Shumica prej tyre sipas drejtorit të shkollës vijnë nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptas. Ky problem është evidentuar edhe në raportin e progresit. Ekspertët e arsimit kërkojnë që të merren masa konkrete ndaj prindërve
Në bankat e shkollës “Selman Riza” këtë vit nuk ulën 40 nxënës.
Këta fëmijë, e braktisën shkollimin e detyrueshëm që parashihet me ligjet në vend.
E shumica prej tyre janë fëmijë të komuniteteve, romë, ashkali dhe egjiptas.
“Për fatin e keq këtë vit kemi pasu shumë braktisje që ka qenë shqetësuese nga ana jonë dhe gjithë akterëve që janë të përfshirë në këtë element. Kemi pasur numrin e madh mbi 40, elementi që e ka shtu këtë element është liberalizimi i vizave është evertet që shumica janë pjesë komunitetit”, thotw Esad Simnica- Drejtor i shkollës “Selman Riza”.
Ky problem është evidentuar edhe në raportin e progresit nga Komisioni Evropian.
“Në veçanti, fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë në rrezik më të lartë të braktisjes së arsimit të detyrueshëm. Qendrat mësimore nuk janë ende të institucionalizuar. Për më tepër, disa qendra që mbështeten në mbështetje të jashtme financiare dhe ofrojnë mbështetje shtesë arsimore dhe psikosociale për fëmijët e fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë, janë mbyllur. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHTI), në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit, duhet të sigurojë burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të mbështetur këto qendra”, thuhet në raport.
Sipas, drejtorit të Instituti Ed Guard, Rinor Qehaja, duhet që të ofrohet më shumë përkrahje për këta fëmijë që mos ta braktisin shkollimin.
“Braktisja vazhdon të jetë problematik në disa institucione arsimore dhe veçanërisht tek disa fëmijë të grupeve të margjinalizuar etnike. Është problematik që kërkon një zgjidhje shumë të targetuar dhe individuale për secilin rast. Pra nuk është që neve na mungojnë dokumente institucionale që parandalojnë braktisjen, por neve na mungon një përkushtim dhe vullnet mirëfilltë të shkollës, të drejtorit, të kujdestarit, të mësimdhënësit që me targetu dhe me ofru një mbështetje shumë individuale dhe nxitje për rikthim në procesin mësimor të atyre fëmijëve që braktisin shkollën”, shprehet Qehaja.
Madje, eksperti i arsimit, Argjend Osmani thotë se duhet të ndërmerren masa më rigoroze ndaj prindërve të nxënësve që braktisin shkollimin.
“Rregullimi me ligj ka sjellë benifite por që të komuniteti, romë ashkali dhe egjiptas kemi të bëjmë me një gjendje të rënduar ekonomike dhe kemi të bëjmë më një mentalitet që jo gjithmonë i përshtatet faktikisht këtij koncepti. Duhet të merren masa serioze që këta prind te merren në përgjegjësi dhe të mundohemi të zgjidhemi sa më mirë në favor të fëmijëve vijimin e tyre të obliguar në shkollë”, thotw Argjend Osmani, ekspert i arsimit.
Ligji për arsimin parauniversitar në Kosovë përcakton që vijimi i shkollimit nga klasa e parë në të nëntën, është i detyrueshëm dhe përgjegjës kryesor parashihen prindërit e fëmijës.