Telenews

Haradinaj: Kemi votat e mjaftueshme për inicimin e mocionit të mosbesimit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij e ka në dispozicion numrin e nevojshëm të deputetëve për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Për të iniciuar mocionin e mosbesimit duhen 40 nënshkrime të deputetëve.

Ish-kryeministri Haradinaj para gazetarëve ka thënë se është i papranueshëm “eskalimi i fjalorit të kryeministrit ndaj aleatëve”. Kryetari i AAK-së ka deklaruar se mocioni i mosbesimit është zgjidhja e duhur.

“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë”, ka deklaruar ai para gazetarëve të mërkurën në Kuvend.

Ai ka theksuar se Kosova ka pranuar tri kërkesat e ShBA-së dhe BE-së për shtensionimin e situatës.

“Tri kërkesat që janë paraqitur, në një mënyrë janë pranuar prej Kosovës. Siç edhe e dimë, veç është paralajmëruar edhe nga presidentja edhe nga kryeministri për mbajtjen e zgjedhjeve më veri. Ashtu siç është pranuar edhe mundësia e heqjes së njësive speciale nga objektet e komunës ku duhet të qëndrojnë në veri. Njëkohësisht edhe pranimi nga Qeveria e Kosovës për pranimin e krejt marrëveshjeve të mëhershme, si në marrëveshjen e Ohrit, paraprakisht edhe në marrëveshjen e Brukselit. Mendoj se këto tria janë çështje të dakorduara, veprimet e mëtejme të Qeverisë duhet të ndodhin tash, në kohë. Besoj se është me rëndësi të merret seriozisht kërkesa në kohë. Nuk janë ultimatum, nuk janë kërkesë e re, por pritje prej Kosovës me fillua për të vepruar”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës kanë bërë tri gabime, të cilat tash po i vuan vendi.

“Institucionet e Kosovës i kanë bërë tri gabime, për të cilat po i vuajmë pasojat. Gabimi i parë se nuk u dakorduan me propozimin amerikan për tabelat dhe pastaj me mbet në kujdestari veriu gjatë gjithë procesit të dialogut, në kujdestari të amerikanëve. Gabimi i dytë ishte insistimi apo nxitimi për të mbajtur zgjedhje, duke mos e pasur pjesëmarrjen e garantuar të gjithëve. I treti, ishte gabim sikurse e dimë, kryetarët që kanë marrë aq pak vota nuk kualifikohen mirëfilli si kandidate të mirëfilltë. Edhe zgjidhja t’i kryejnë funksionet e veta në objekte alternative për një kohë ishte e mençur. Gaboi kryetari i qeverisë kur insistoi t’i vendos ata me forcë policore në objekte. Të tri këto gabime u shfrytëzuan shumë mirë prej Serbisë, prej Vuçiqit, prej bandave atje të kriminelëve më veri. Është koha e fundit që ta kthejmë faqen, ta fillojmë një plan serioz me bashkësinë ndërkombëtare, mos t’i rrejmë më”, ka shtuar ai.

Për ta rrëzuar Qeverinë duhen 61 vota.

Të ngajshme

Protesta në Hagë, Gucati thirrje qytetarëve: Bashkohuni të gjithë

Erzana Fazliu

Aktori i njohur përballet me sëmundjen e rëndë, vajza e Naun Shundit e zhgënjyer me Teatrin Kombëtar

Erzana Fazliu

Musliu: Gërvalla nuk u refuzua si vajza e Jusuf Gërvallës, ajo e ka pranuar bashkëpunimin me Specialen

Erzana Fazliu