Pas pretendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje se kalimi i asamblistës, Berna Saraçi në PDK ka qenë për shkak të shantazhimit dhe kërcënimeve, ka reaguar nënkryetarja e PDK-së në Prishtinë, Donjeta Sahatçiu.
Sahatçiu ka sfiduar partinë që të tregojë se nga kush është shantazhuar asamblistja duke kërkuar emrat e personave.
“Kush nga PDK paska kërcënuar Bernën, o hej? Ftoj ish-kolegët e Bernës nga LVV në Prishtinë që të bëjnë publike sa më shpejtë informatën se kush nga PDK e paska kërcënuar atë, apo këdo tjetër, ndonjëherë gjatë këtij mandati. Hajde ma gjallë! Emrat, ju lutem. Emrat”, ka shkruar nënkryetarja Sahatçiu.
Tutje ajo i quajti akuzat e VV-së, seksiste.
“Refuzoj të pranoj që mundemi me hedh hije publikisht mbi këdo me pretendime pa asnjë dëshmi. Sikurse, refuzoj të pranoj të hesht kur njërën nga ne, një grua të re, super çikë të Prishtinës, ndër të paktat ato gra që megjithatë hyjnë në politikë, përpjeken t’a viktimizojnë se gjasmë e vetmja arsye pse ajo mund të guxojë të vendosë ndryshe është mesiguri për shkak se nuk ka mundur të përballojë kërcënimet e shantazhet. E dhimbshme, përveç se seksiste. Përpjekjet shpifëse dhe linçuese nga kushdo, për të dekurajuar mendimet ndryshe dhe veprimet e guximshme mbi këto mendime, sikurse kjo e Bernës sot e të tjerëve diku nesër, nuk do të na ndalin asnjëherë”, ka shkruar në fund ajo.
Sot, Partia Demokratike (PDK), dega në Prishtinë njoftoi se asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Berna Saraçi, ka kaluar në grupin e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Për këtë, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, dega në Prishtina e cila në nivel lokal është opozitë.
Në kumtesë, pretendohet se asamblistja Berna Saraçi, ka marrë kërcënime dhe shantazhe nga partitë e pushtetit në nivel lokal.
Sipas VV-së, vetë ajo i ka paraqitur këto kërcënime në mbledhjen e fundit të kryesisë së Qendrës.

