Telenews

Ish-diplomati i reagon Gërvallës: Jo vetëvrasje për miqtë, por vetëvrasje pa miqtë

Ish-diplomati Petrit Hajdari i ka reaguar ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila tha se Kosova s’mund të bëjë vetëvrasje politike as për miqtë e saj më të ngushtë.

Përmes një postimi në Facebook, Hajdari ka thënë se deklarata e Gërvallës është skandaloze.

Sipas tij, Gërvalla është e padijshme, e padinjitetshme dhe, potencialisht, e manipuluar nga shefi i saj, Kurti, në lëshimin e deklarimeve të tilla skandaloze.

Postimi i plotë:

Jo vetëvrasje për miqtë, por vetëvrasje pa miqtë.

Jam rezervuar nga komentet për MPJD-në, përshkak të çështjes së hapur me ta. Por, skandali i fundit do reagim me patjetër dhe në çdo rrethanë.

Mjaftueshëm skandaloze deklarimet e Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, janë edhe po të ishin bërë në një postim të thjeshtë në platformat e rrjeteve sociale. Fakti që artikulimet skandaloze si “nuk mund të bëjmë vetëvrasje për miqtë” e propozimi për një nivel tjetër kontrolli për diplomatët e huaj në Kosovë (sepse vendet që i dërgojnë s’na qenkan mjaftueshëm kredibile), janë komentet e një interviste për gazetën prestigjioze austriake Der Standard, ia shton veç më tepër shqetësimin çdo njohësi të këtyre çështjeve.

Gërvalla është e padijshme, e padinjitetshme dhe, potencialisht, e manipuluar nga shefi i saj, z.Kurti, në lëshimin e deklarimeve të tilla skandaloze e pa trohë kujdesi.

Askush nuk po i kërkon Kosovës vetëvrasje, as politike as tjetërfare, Kosovës po i kërkohet veçse koordinim me aleatë kyçë në momente kyçe.

Rruga që ka nisur e padijshmja Schwarz, jo që nuk është vetëvrasje për miqtë, por është vetëvrasje e sigurt politike pa miq fare.

Njeriu që politikën e jashtme të vendit e ka futur në gjendje kome, tani kërkon ta vrasë e t’ia ngulë gozhdën e fundit mbi arkivol.

Këtu e tutje, as dorëheqja nuk mjafton. Por, çfarë mendon kryeministri i vendit? Pse Donika Gërvalla Schwarz është ende aty?

 

Të ngajshme

ASK: Më shumë persona të vdekur në vitin 2024 sesa një vit më parë

Valjeta Turkaj

Zvicra shpallet vendi me cilësinë më të lartë të jetës në botë për vitin 2025

Valjeta Turkaj

Rohde në Deçan, falënderon ekipin që shpëtoi dy turiste të huaja në bjeshkët e Sharrit

Valjeta Turkaj