Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i shoqëruar nga vajza e ish-presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner, kanë vizituar Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”.
Kështu është bërë e ditur në një postim në faqen zytare të muzeut.
“Kënaqësi të prisnim në muze Kryeministrin e Shqipërisë, z Edi Rama, Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, të cilët vizituan Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe””, thuhet në njoftim.
Kushner dhe Trump lanë edhe nga një mesazh në Librin e Përshtypjeve në këtë muze.
“Ju falënderoj për mikpritjen kaq dashamirëse dhe që ndatë me ne historinë e shtypjes së Shqipërisë për ta kuptuar më mirë transformimin e jashtëzakonshëm, dëshmitarë të të cilit jemi ne sot. Le të mësojë dhe populli im nga ky muze që këto tmerre të mos përsëriten më!”, ka shkruar Kushner.
Ndërsa Ivanka Trump u shpreh: “Faleminderit. Gjithë të mirat për të dy vendet tona Amerika dhe Shqipëria”.
Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj janë duke qënduar për pushime në Shqipëri, ku janë parë duke shijuar bregdetin në Sarandë dhe Jalë. /Telegrafi/