Gazetari dhe analisti i studiove televizive në vend, Visar Duriqi duket se ka për të “sqaruar” gjëra me ish-kryetarin e Partisë famëkeqe Lista Serbe dhe ish ministrin në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.
Telenews.al ka siguruar një video, ku Duriqi shihet teksa del nga një kafene e kryeqytetit nën-shoqërinë e politikanit serb i cili njihet vetëm për skandale në politikën kosovare.
Jabllanoviq që pretendon se ka qenë edhe themelues i Listës serbe, një kohë ka qenë edhe Ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës të drejtuar atë kohë nga Isa Mustafa.
Në videon e siguruar nga Telenews.al ku shihet Duriqi në bisedë të ngrohtë me Jabllanoviqin, burimet tregojnë se dyshja paraprakisht kishin pirë kafe në lokalin, pranë takimit ku shihen duke folur dhe më pas dalin jashtë për të vazhduar bisedën, e pas disa sekondash, Duriqi largohet i vetëm derisa Jabllanoviq rikthehet në lokal.
Ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e takimit të Duriqit me Jabllanoviqin, por një gjë është e sigurtë: se politikani serb është një njeri shumë i padëshiruar për popullin e Kosovës, sidomos pas deklaratës famëkeqe për nënat gjakovare.
Vite më parë ish-ministri serb kishte përdorur shprehje të rënda kundër nënave protestuese gjakovare, të cilat i kishte quajtur “egërsira”. Kjo për gjakovarët kishte qenë e papranueshme, pasi plotë nga to i kanë bijtë e tyre dëshmorë ose martirë të rënë në luftën e fundit në Kosovë.
Pas deklaratave të Jabllanoviq atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje si parti opozitare, kishte organizuar një protestë me kërkesë për shkarkimin e tij, ku kishin marrë pjesë afër 2 mijë veta.
Jabllanoviq që ka punuar edhe në Qeverinë e Serbisë, ka të kaluar jo të mirë edhe në institucionet e atjeshme, pasi kishte dhënë dorëheqje nga një pozitë që mbante, për shkak se ju ishte vërtetuar akuza që i kishte dhënë në shfrytëzim automjetin e Ministrisë së Punës, personave që nuk kanë pasur të drejtë ta drejtojnë atë.
Në të kaluarën edhe vëllai i Aleksandër Jabllanoviq, ishte arrestuar me veturë zyrtare në Kralevë, ku mediat serbe shkruanin se ishte kapur me drogë. /Telenews.al/

