Telenews

Fillon sezoni i ri në basketbollin kosovar, Prishtina fiton vetëm pas vazhdimeve ndaj Prizrenit

Ka nisur edicioni i ri i basketbollit kosovar te meshkujt.

Sigal Prishtina ka fituar me shumë vështirësi ndaj Proton Cable Prizrenit 89-83, në ndeshjen e zhvilluar në palestrën ”Sezai Surroi” pas ajo në Prishtinë po rinovohet, shkruan Telenews.al

Bardhekaltërit e nisën pak më mirë këtë duel duke e fituar çerekun e parë me dy pikë diferencë (24–22), derisa bardhezinjët u kundërpërgjigjën në të dytin (18-21) dhe shkuan në pushim me epërsi, falë treshes së Edmond Kryeziut (42-43).

Në pjesën e dytë, vazhdoi loja e ngushtë mes ekipeve, për çka edhe çereku i tretë u mbyll baraz për nga pikët e shënuara (21-21), derisa mysafirët e filluan periodën e fundit me avantazh minimal. Perioda e fundit ishte shumë dramatike me rezultatin që ndërrohej shpesh, derisa Prishtina e fitoi atë me një pikë diferencë (14-13), por jo edhe ndeshjen edhe pse Musab Mala kishte shansin ideal që t’ia fitojë Ponte Prizrenit ndeshjen, por 2 sekonda para fundit, fare pranë koshit doli jashtë vijave me gjithë topin, për çka koha e rregullt u mbyll baraz (77-77) dhe ndeshja shkoi në vazhdime.

Në 5 minutëshin shtesë, Prishtina u tregua më konkrete duke shënuar 12 pikë, karshi vetëm 6 të Prizrenit dhe kështu sfida u mbyll me gjashtë (6) pikë diferencë për prishtinas.

Katër basketbollistë realizuan pikë dyshifrore te Prishtina sonte, derisa më i dalluari ishte qendra amerikane Nick Ward që realizoi 25 pikë e 8 kërcime, Lejson Zeqiri kishte 19 pikë, kapiteni Dardan Berisha shtoi 15 sosh dhe transferi i ri, Tyron Harris debutoi me 10 pikë, 4 kërcime e 3 asiste.

Te Prizreni s’mjaftuan për fitore, Edmond Kryeziu me 20 pikë (6-9 për treshe), amerikani Isaiah Kelly kishte 19 sosh dhe Urim Zenelaj 17 e ish-lojtari i Euroligës, Ivan Koljeviq që kishte 13 pikë.

Prishtina e nis me fitore stinorin e ri dhe merr vetëbesim pas humbjes në gjysmëfinale të Superkupës, derisa Prizreni e fillon me humbje edhe pse luftoi shumë për fitore.

Në xhiron e ardhshme, Prishtina i shkon Trepçës e Prizreni e pret kampionen aktuale, Pejën. /Telenews.al/

Të ngajshme

Një tjetër gol drejt historisë, Ronaldo i afrohet shifrës së 1.000 realizimeve –

KushtrimGuraj

Ardhje të mëdha te Kombëtarja Shqiptare, një nga ta po shkëlqen në Serie A

Rrezarta Ramaj

Messi: Dua të kujtohem si sportist që luftoi gjithmonë për ëndrrat e tij –

KushtrimGuraj