Telenews

E fundit: Ja në cilën ditë do të takohen Kurti-Vucic me liderët kryesorë europianë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zhvillojnë takime të ndara me katër liderët evropianë më 26 tetor në Bruksel.

Bashkimi Evropian konfirmoi se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar në Bruksel në margjinat e samitit të Këshillit Evropian të enjten.

LEXO EDHE KETE

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës nuk e përjashton mundësinë e një sulmi të dytë

Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se plani është që në margjinat e këtij samiti, Kurti dhe Vuçiq të kenë takime të ndara me katër liderët evropianë, përfaqësuesit e të cilëve vizituan Kosovën dhe Serbinë më 21 tetor.

Sipas burimeve, plani është që “katër liderët, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell, të kenë takim të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e samitit të BE-së të enjten”.

Takime të të njëjtit format pritet të zhvillohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në Kosovë dhe Serbi më 21 tetor qëndroi i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçaku.

Në këto takime, me të ishin edhe katër diplomatë të tjerë: i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Alessandro Cattaneo.

Pas takimit në Prishtinë, Lajçak tha se diplomatët kanë paraqitur një plan për të cilin kanë biseduar me Kurtin. Nga zyra e Kurtit konfirmuan se është diskutuar për planin e diplomatëve “për ecjen përpara”, por nuk u dhanë detaje për të.

Më herët gjatë së martës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se gjatë takimeve në Kosovë dhe Serbi në fundjavë dhe shkëmbimeve me palët, blloku evropian ka paraqitur një propozim “modern evropian” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, BE-ja pret që palët të ndërmarrin veprime të shpejta për normalizimin e raporteve.

“Diskutimet e të dërguarit të posaçëm [të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi], Mirosllav Lajçak, gjatë fundjavës në Beograd dhe Prishtinë ishin të fokusuara në zbatimin e Aneksit të Ohrit. Nuk ka ndonjë qëllim që ai të zëvendësohet. U diskutuan propozime dhe ide të ndryshme – disa me shkrim – dhe këto diskutime do të vazhdojnë. Kjo po ashtu përfshin edhe një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Stano.

Stano iu referua Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve të arritur më herët gjatë vitit.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Qeveria e Kosovës deri më tani nuk e ka themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Serbia, ndërkaq, insiston në themelimin e tij.

Takimet e paralajmëruara në Bruksel vijnë në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Tensionet janë rritur qysh në maj në komunat veriore të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, që dolën nga zgjedhjet e prillit – të bojkotuara nga serbët.

Më 24 shtator tensionet u përshkallëzuan pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, ku vdiq polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

Uashingtoni dhe Brukseli kanë dënuar ashpër sulmin në Banjskë të Zveçanit./Telenews/

Të ngajshme

Marrëveshja e Uashingtonit: Theksohet Roli i Saj në Marrëdhëniet Kosovë-Serbi

KushtrimGuraj

Drenusha: Kam hyrë beqare, mund edhe të dashurohem

Erzana Fazliu

Ylli i Barcelonës nuk do të rikthehet në aksion deri në fillim të vitit të ardhshëm

Erzana Fazliu