Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, është ftuar si dëshmitar nga Gjykata Speciale.
Lajmin e ka bërë të ditur Dedaj të hënën përmes një lajmërimi në rrjetin social Facebook.
LEXO EDHE
“Sot udhëtoj për Hagë. Jam ftuar si dëshmitar në Hagë. Ndonëse viktimë e Serbisë, përkundër vullnetit tim, jam ftuar dëshmitar nga Dhomat e Specializuara te Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës! Zoti e bekoftë Kosovën martire”, ka shkruar Dedaj.
Disa vite më parë, Dedaj e kishte akuzuar publikisht ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për ushtrim dhune në luftë.
“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psiqik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam malltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj në një emision në KTV më 2011.
Ky rrëfim i tij kishte ndodhur pak ditë pasi Thaçi e kishte shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Transportit.
Më vonë, Gjergj Dedaj nuk ishte rrëfyer më asnjëherë për ngjarjen e pretenduar për të cilën u deklarua në vitin 2011. Para pesë vitesh, më 2018, ai ishte emëruar ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Këtë pozitë e ka mbajtur deri në vitin 2021. /Telenews.al/