Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se në Shqipëri kanë hyrë rreth 9 milionë turistë të huaj, nga janari deri në tetor të këtij viti.
“Kemi arritur një shifër që deri përpara jo shumë vite më parë dukej komplet e paimagjinueshme dhe ndërkohë kemi arritur në muajin tetor që nuk është piku i sezonit, të kemi kapërcim befasues të numrit të turistëve që kanë hyrë në Shqipëri, nga 365 mijë në tetorin e vitit të shkuar, në 611 mijë. Thuajse mbi 80% plus. Nga janari në tetor kemi prekur pothuajse 9 milionë turistë. Më saktë, 8 milionë e 920 mijë”, tha Rama në Asamblenë e zgjeruar të PS-së në Durrës.
“Nëse ky trend do vazhdojë deri në fund të vitit, do t’i afrohemi shifrës së 10 milionë turistëve që për Shqipërinë është një shifër jashtëzakonisht domethënëse ekonomike, pasi bëhet fjalë për 10 milionë konsumatorë, për 1 ditë, 3 ditë, 1 javë për 15 ditë apo për 20 ditë. Flas këtu për pasaporta të huaja”, deklaroi kryeministri shqiptar duke shtuar se kjo rritje e numrit të turistëve duhet t’i përmirësojë shërbimet në të gjitha nivelet, por po ashtu tha se duhet edhe më shumë prodhim të brendshëm, bujqësor, blegtoral.