Telenews

Kuvendi miraton Deklaratën në mbështetje të Rezolutës së PE-së për sulmin terrorist në Banjskë

 

 

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë mbledhur sot në seancën e radhës, raporton Gazeta Tellenews.

Me 86 vota për, Kuvendi ka miratuar Deklaratën në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.

Parlamenti Evropian më 19 tetor ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje. Këto janë përfshirë në rezolutën për zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimeve në veri të Kosovës.

Në tekstin e rezolutës përmenden rrethanat të cilat kanë ndikuar në rritjen e tensioneve në veriun e Kosovës, nga largimi i serbëve nga institucionet nëntorin e kaluar, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të prillit në veri, e deri te vendosja e barrikadave dhe sulmeve ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve në fund të majit dhe sulmit të fundit në Banjkës. Në tekstin e rezolutës, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre sulmuesit e vrarë.

Përmes kësaj rezolute po ashtu bëhet ftesë për një rol më pro-aktiv të BE-së në dialogun për normalizimin e raporteve, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të zbatojnë të gjitha pikat e Marrëveshjes drejt normalizimit – të arritur më herët gjatë vitit – përderisa shprehet keqardhje për rinisjen e fushatës nga Serbia për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe pengesave për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Nga Kosova kërkohet që të ketë dialog me serbët në Kosovës dhe të organizojë sa më shpejt zgjedhje të reja lokale në veriun e banuar me shumicë serbe.

Të ngajshme

Al Trade Market sjell ofertat më të mëdha të fundvitit

Valjeta Turkaj

Mbingarkesa djeg kabllot në Ferizaj, lë pa rrymë një pjesë të qytetit

Donat Hashani

Vlora Dumoshi – një zë i përvojës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve

Erzana Fazliu