Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në vazhdën e zbatimit të masave për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit e në veçanti të kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, ku si rezultat pas pranimit dhe trajtimit të informacioneve të pranuara përmes rrugëve zyrtare të PK-së është identifikuar dhe është arrestuar një person i dyshuar i cili kishte të ngarkuar një automjet me mall të kontrabanduar në Viti, i cili dyshohet se po fuste mallin e kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës.
Me datën 13.11.2023 Njësia e Task Forcës – Lindje gjatë zbatimit të detyrave sipas autorizimeve policore për parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar kryes të veprave penale, ka ndaluar një automjet të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale R. T., tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur të ngarkuara 43 paketa me mallra-suplemente (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro, mall për të cilin nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e tij, i cili dyshohet se ishte kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV-RKS.
Të gjitha veprimet rreth rastit janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli dhe automjeti janë dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë dhe rasti trajtohet tutje në procedurë të rregullt./Telenews/