Dy ditë më parë, Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se prokurori disiplinor Rexhep Veseli, është kanosur përmes e-mailit nga kryetari i degës regjionale në Prishtinë, avokati Nasuf Hasani.
Gazeta ka siguruar emailin ku avokati Hasani kërcënoi prokurorin Veseli.
“Referoju e-mailit të datës 11 maj 2023, kur e ke shpall vetën kompetent në raport me Behar Ejupin, prej këtij momenti edhe një herë bon vaki e me dërgon diçka ose pa ta q* at nanë që t’ka pjellë se la. Ke me u bindë, po të garantoj se je tu ma rreziku familjen tem bre qen bir qeni“, ka shkruar avokati Nasuf Hasani në emailin dërguar prokurorit Rexhep Veselit.
Veseli ia dërgoi këtë email avokatëve të tjerë të OAK, derisa tha se e ndien vetën të obliguar ta ndajë me avokatët tjerë emailin origjinal të pranuar nga avokati Hasani.
“Kam pranuar një email që në vete përmban kanosje dhe ofendim për mua dhe familjen time“, ka shkruar Veseli.
Ndryshe, OAK përmes një njoftimi për media me datë 29 nëntor tha se Veseli mori kërcënime serioze nga Hasani.
“Prokurori Disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Rexhep Veseli, me tu paraqitur sot në punë, ka kuptuar se në e-mailin e tij zyrtar ka arritur një e-mail (në ora 01:14 min pas mesnatës) nga avokat Nasuf Hasani, i cili mban pozitën e Kryetarit të Degës Regjionale në Prishtinë, përmes së cilës është kanosur dhe se kjo e-mail ka përmbajtje kërcënuese serioze. Kanosja ka të bëjë me punën dhe detyrat zyrtare të Zyrës së Prokurorit Disiplinor”, thuhet në njoftim.
“Oda e Avokatëve të Kosovës, dënon ashpër kërcënimet dhe kanosjet e kryetarit të Degës së Prishtinës, në drejtim të Prokurorit Disiplinor dhe se veprime të tilla janë të pa pranueshme e që dëmtojnë prestigjin e avokatit dhe Odës së Avokatëve të Kosovës”, vijon njoftimi.
Rasti është lajmëruar në Policinë e Kosovës nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, andaj Oda e Avokatëve të Kosovës, kërkon nga organet kompetente ta trajtojnë rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat konform ligjit.
Insajderi dy ditë më parë raportoi se komisioni i Ankesave, ia ka ashpërsuar dënimin avokatit Nasuf Hasani, avokat ky i angazhuar nga ministrja Albulena Haxhiu. Nga 500 dënimi tij është bërë në 2500 euro, siç thuhet për të arritur efektin e disiplinimit, pasi që i njëjti sipas këtij vendimi, është recidivist-përsëritës i shkeljeve disiplinore.