Menjëherë pas përfundimit të mandatit të tij në përfaqësinë diplomatike të Kosovës në Shkup, Prindon Sadriu është sistemuar në pozitë si drejtor departamenti brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), e cila udhëhiqet nga bashkë-kryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla.
Bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, themeluese e Listës Guxo të shndërruar më vonë në subjekt politik, është emëruar drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në MPJ.
Emërimi i Prindon Sadriut është marrë të enjten e 30 nëntorit të këtij viti, bazuar në një dokument të publikuar.
“Prindon Sadriu me gradë Ministër në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, pas përfundimit të mandatit, sistemohet përhershëm në pozitën Drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në vendim.
Sadriu, që ushtron funksionin e diplomatit dhe rezervistit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është person mediatik, jo vetëm për shkaqe protokollare si bashkëshort i presidentes, por edhe për shkak të përfshirjes së tij në luftë me mediat.
Në shkurt të vitit të kaluar, ai i kishte sulmuar mediat për raportimet rreth shpenzimeve të udhëtimit të realizuara nga bashkëshortja e tij, presidentja Osmani, në kohën kur ajo ushtronte funksionin e deputetes.
I ngarkuari si Shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Shkup, i kishte përkufizuar mediat kosovare si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.