Reshjet e dendura të shiut dhe grumbullimi i ujit kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, teksa Policia apeloi që të shmanget kjo rrugë për lëvizje, raporton Gazeta Telenews.
Insajderi ka publikuar pamje ku shihet se si pasojë e reshjeve, një veturë me targa vendore është përmbytur në afërsi të Ferizajt.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajit, Kanun Veseli, ka thënë se nuk ka pasur të lënduar.
“Ju njoftojmë se, rreth orës 20:30 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive të Ferizajt, shkak i grumbullimit të ujit nga te reshurat e shiut një veturë me targa vendore, ka dalë jashtë rruge, ndërsa nuk raportohet për lëndime”, tha Veseli.
Policia mbrëmë ka njoftuar se si pasojë e të reshurave të shumta të shiut dhe grumbullimit të ujit, rruga magjistrale Ferizaj-Prishtinë, nga fshati Muhovc e deri në afërsi të fshatit Babush të Ferizajt, drejtimi i Prishtinës është vështirësuar për qarkullim të automjeteve, ndërsa në disa vende është bërë e pakalueshme.
“Lusim qytetarët / shoferët e automjeteve që të përdorin rrugët alternative, autostradën “Arbën Xhaferi”, apo rrugët tjera, përmes qytetit të Lipjanit dhe Shtimës, në mënyrë që ti shmangen ndonjë bllokimi të tyre, deri në lirimin e plotë të rrugës”, thuhet në apelin e policisë.
Ndërkohë, mëngjesin e sotëm Policia ka njoftuar se rruga është liruar për qarkullim.
“Ju njoftojmë se rruga magjistrale Ferizaj-Prishtinë, e cila në disa vende kishte vështirësi për qarkullimin e automjeteve si pasojë e të reshurave të shumta të shiut dhe grumbullimit të ujit, rreth orës 04:00 të mengjesit është liruar plotësisht për qarkullimin e automjeteve.
Lusim qytetarët / shoferët e automjeteve që të kenë në komunikacionim rrugor në këtë relacion, të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes së automjetit në raport me kushtet e rrugës“, thuhet në njoftimin e Policisë./Telenews/