Dërgimi i Ligjeve në Gjykatën Kushtetuese nga partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk po i pëlqen partisë në pushtet. Lëvizja Vetëvendosje ka pohuar se opozita nuk po ka alternativë të mirëfilltë, raporton gazeta Telenews.
Nëpërmjet një reagimi në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, nga LVV-ja thonë se Gjykata Kushtetuese po shfrytëzohet nga partitë opozitare për të kapur shtetin dhe të fuqishmit e ekonomisë dhe privatizimit.
Sipas LVV-së, dërgimi i ligjeve nga opozita në Kushtetuese nuk është opozitëbërje, por “është përpjekje e Klubit të Stërvjetëruar Politik që të ruaj grupet e interesit në mënyrë që të ruhet pasuria e tyre”.
“Në mungesë të kritikës së mirëfilltë dhe alternativave ndaj propozimeve e vendimeve tona, me qëllim bllokimin e reformave tona transformuese e progresiste vazhdojnë të dërgojnë ligje në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk ka të bëjë me opozitbërje, kjo është përpjekje e Klubit të Stërvjetëruar Politik që të ruaj grupet e interesit në mënyrë që të ruhet pasuria e tyre”, thuhet ndër të tjera në postimin e VV-së në Facebook.
Ndaj këtyre akuzave, ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri është shprehur se pushteti frikësohet nga ligjshmëria dhe Kushtetuta dhe se janë në panik.
“Vetëvendosja, pasi ka dështuar në qeverisje në këto tri vjet, paska filluar të mbajë ligjërata koti se si bëhet opozita. Atyre që kanë bërë opozitë me tym e flakë, me gurë e gaz, nuk po ju pëlqeka opozita jonë me rrugë institucionale, opozita jonë duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimet e tyre të mbrapshta. Ata frikësohen nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria prandaj janë në panik”, ka thënë ai mes tjerash.
Pos Tahirit, reagim pati edhe nga deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, e cila ka thënë se Qeveria nuk është mbi Kushtetutën.
“Qeveria e REPUBLIKËS nuk është mbi Kushtetutën sepse vet REPUBLIKA është mbi qeverinë. Ndoshta, po ta shihte VV Republikën e Kosovës si të përhershme, e jo të përkohshme, nuk do t’i pengonte Gjykata Kushtetuese kaq shumë. As fakti që ligjet kundërkushtetuese nuk KALOJNË. Ndoshta, po ta projektonin të ardhmen e tyre në përhershmërinë e këtij shteti – do ta kuptonin dhe përhershmërinë e kushtetutshmërisë së tij. Por, kjo ‘ndoshta’ nuk ka kurrfarë rëndësie sot”, ka shkruar mes tjerash Kica-Xhelili në reagimin e saj në Facebook.
Së fundmi në Kushtetuese është paralajmëruar se do të përfundojë edhe ligji për Fondin Sovran.
Kuvendi më 15 dhjetor miratoi ligjin për Fondin Sovran, por Abelard Tahiri nga PDK ka paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e tij.
“Ne si grup parlamentar i PDK-së e kemi kundërshtuar këtë projektligj sepse konsiderojmë që në kuadër të strukturës ekonomike të vendit tonë dhe në kuadër të rendit tonë kushtetues është e pamundur të vendoset një strukturë e tillë. Në anën tjetër, sa i përket benefiteve nga kjo strukturë, ne konsiderojmë që është vetëm një strukturë burokratike në kuadër të vendimmarrjes që lidhet me çështje ekonomike, ndërmarrjet publike dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Konsiderojmë që është strukturë e padobishme”, kishte thënë Tahiri.
Në fund të muajit të kaluar, Kushtetuesja e ka shpallur të pavlefshëm ligjin për çmimet tavan dhe produktet bazë.