Telenews

Ofertoi rrejshëm, kompania e familjarëve të ministrit të Kurtit futet sërish në ‘listën e zezë’

 

Kompania MEB L.L.C është futur në ‘listën e zezë’ të kompanive që nuk mund të marrin tender për një kohë në institucionet publike. Kjo pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit ka aprovuar kërkesën e Agjencisë Qendrore të Prokurimit për ta sanksionuar këtë kompani, e cila sipas dy institucioneve ka ofruar të dhëna të rrejshme në një procedurë tenderuese. Ndaj kompanisë mund të nisin edhe procedurat ligjore, pasi Kodi Penal i Kosovës parasheh masa ndaj mashtrimeve ose falsifikimit të dokumenteve gjatë ofertimit. Kjo kompani aktualisht ka edhe kontrata aktive më institucionet publike. Pronar i saj është Anil Damka, një familjar i ministrit Fikrim Damka. 

Agjencia për Informim dhe Privatësi – AIP ka mbetur pa shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objektit. Kjo për faktin se Agjencia Qendrore e Prokurimit – AQP, e cila kryen procedurat tenderuese për agjencitë publike, nuk ka mundur të lidh një kontratë nga muaji shtator për këtë punë.

Më tu hapur ofertat për këtë tender, kompania “MEB” L.L.C, e cila ishte e vetme në garë ka kërkuar që të tërhiqet nga pjesëmarrja, pasi i është kërkuar të dërgonte edhe një dokument të ATK-së për të dëshmuar që nuk kishte obligime ndaj këtij institucioni. Më pas rezultoi se kompania kishte dhënë deklaratë të rrejshme nën betim që nuk ka probleme ligjore, por doli se ishte në një marrëveshje më ATK-në për të shlyer disa obligime ndaj saj.

Kësisoj, AQP-ja i kërkoi OSHP-së që të fusë në ‘listën e zezë’ këtë kompani. Kërkesa është miratuar nga “Gjykata e Tenderëve”.

“Aprovohet si e bazuar kërkesa e datës 04.09.2023, Protokolli 1118/23 e Agjencia Qendrore e Prokurimit, e parashtruar në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, për shkak të paraqitjes të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga operatori ekonomik, sipas nenit 99 paragrafi 2 të LPP-së, kurse OE “MEB” L.L.C diskualifikohet nga pjesëmarrja në aktivitetin e prokurimit “‘Shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objektit” me numër të prokurimit UAV/2016- 23-8844-2-3-6 dhe i ndalohet pjesëmarrja në aktivitetet e prokurimit publik për periudhën kohore 3 muaj, duke filluar nga data 19.12.2023 deri me datën18.03.2024”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Më 04.09.2023, Agjencia Qendrore e Prokurimit, në cilësinë e AK ka dorëzuar në OSHP kërkesë për aplikim të masave, sipas nenit 99 pika 2 të LPP, ndaj Operatorit ekonomik “MEB” L.L.C, nën pohimin se ekziston dyshimi për “paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar nga ky operator ekonomik, ashtu sikurse parashihet me nenin 99 par 2 te LPP.

“Duke ju referuar kërkesës së cituar më sipër, konstatohet si arsye për marrjen e masave në pajtim me nenin 99.2 të LPP, AK (me të dhënat si më sipër) ka deklaruar se Operatori Ekonomik “MEB” L.L.C, në aktivitetin e prokurimit: “Shërbimet e pastrimit dhe mirëmbajtjes së objektit” është tërhequr nga aktiviteti i prokurimit pas hapjes së ofertave, edhe pse më herët ka deklaruar se është i përgjegjshëm duke e nënshkruar deklaratën nen betim, të cilën e ka dorëzuar së bashku me ofertë. Tërheqjen e ka arsyetuar me një kontest me ATK-në dhe si pasojë e moszgjidhjes se këtij kontesti, nuk mund të vazhdojë më tutje me këtë aktivitet”.

Paneli shqyrtues gjatë analizimit të deklarimeve, shkresave dhe fakteve të lëndës, ka konstatuar se operatori ekonomik ka qenë i vetëdijshëm për procedurat kontestimore në ATK para publikimit të njoftimit për kontratë lidhur me këtë aktivitet të prokurimit dhe si i tillë, OE fillimisht është dashur të sigurohet se do të arrijë marrëveshje me ATK para se të marrë pjesë në këtë aktivitet të prokurimit apo para se ta nënshkruajë deklaratën nën betim për pjesëmarrje në ketë procedurë të prokurimit.

Familjarët e Ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, po vazhdojnë të marrin tenderë pavarësisht  se kompania e tyre kishte qenë edhe një herë në ‘listë të zezë’ të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe vetë drejtuesi i saj, Anil Damka, si dhe i autorizuari i saj, Shefqet Damka, ishin arrestuar nën dyshimin për “falsifikim të dokumenteve” dhe “keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.

Më 12 maj 2021, krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kishin arrestuar Anil Damkën e Shefqet Damkën, të dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.

Sipas policisë, gjatë vitit 2022, pronari dhe i autorizuari i një biznesi kanë përfituar tender nga institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.

“Lidhur me rastin pas veprimeve hetimore është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruar qarkullimin në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin bankar të falsifikuar në një bankë, vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro)”, njoftonte Policia e Kosovës.

Ata fillimisht u ndaluan për 48-orë, ndërkohë që Prokuroria kishte kërkuar 30-ditë paraburgim ndaj tyre. Mirëpo, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte urdhëruar lirimin e tyre.  Themelorja e ka refuzuar kërkesën për paraburgim të Prokurorisë dhe ka obliguar Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit që “të lirohen menjëherë me datë 13.05.2022” të pandehurit Anil dhe Shefqet Damka, shkruante në vendimin e Gjykatës.

Kompania “MEB” L.L.C dhe i autorizuari i kompanisë Shefqet Damka (SH.D.) janë dënuar sipas Aktgjykimit P.Nr.289/2019 të datës 18.02.2020 (Nr.lëndës: 2018:046216) për veprën penale “Falsifikim i Dokumentit”.

Anil Damka (A.D.) pronar i kompanisë dhe Shefqet Damka (S.D.) si i autorizuar i kompanisë (Drejtor), sipas Autorizimit të lëshuar më 26.03.2021 janë dënuar sipas Aktgjykimit Nr.649/2017 të datës 27.02.2018 për veprën penale “Kanosje”.

Po ashtu, Shefqet Damka (SH.D.) i autorizuar i kompanisë është dënuar sipas Aktgjykimit Nr.210/19 të datës 16.11.2021 (Nr.Lëndës: 2019:076135) për veprën penale “Vjedhja e Shërbimeve”.
Përsëri, Shefqet Damka (SH.D.) i autorizuar i kompanisë është dënuar sipas Aktgjykimit Nr.566/21 të datës 24.09.2021 (Nr.Lëndës: 2021:098827) për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

Të ngajshme

Komisioni i ri Evropian votohet më 27 nëntor

Erzana Fazliu

Pas takimit Kurti-Mickovski, prangat e para për Ali Ahmetin

Erzana Fazliu

Kryetari i Komunës së Butelit paralajmëron arrestimin e Ali Ahmetit

Donat Hashani