Telenews

Polic i vrarë, ushtarë të lënduar të KFOR-it, sulm terrorist e protesta të dhunshme- Çka ngjau në veri të Kosovës gjatë 2023-ës?

 

 

Afrim Bunjaku, si dhe 25 ushtarë të KFOR-it u plagosën gjatë protestave masive në veri në periudha të ndryshme kohore.

Vendosja e kryetarëve të rinj shqiptarë nëpër objekte komunale të katër komunave veriore, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ngjalli revoltë. Grupe të caktuara protestuan përpara objekteve komunale.

Të paktën 25 ushtarë të KFOR-it u plagosën si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit.

Lëndimi i tyre pasoi pasi këta të fundit tentuan që t’i shpërndajnë protestuesit serbë.

Protestat e serbëve zgjatën për më shumë se dy javë në të katër komunat veriore.

Në këto protesta, grupe kriminale serbe sulmuan edhe mediat prezente që po mbulonin ngjarjen. Përgjatë asaj periudhe u raportua për sulme fizike ndaj gazetarëve e dëmtim të veturave të mediumeve të ndryshme.

Çka ngjau në Banjskë?

Në ora 02:34 të 24 shtatorit, tri njësi policore të Policisë së Kosovës u bënë cak i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Grupi terrorist serb, në krye me Milan Radoiçiq, sulmoi me mina të telekomanduara, granata dore dhe zollë të tri njësitë policore. Nga sulmi përfundoi i rënë në detyrë Afrim Bunjaku, si dhe i plagosur kolegu i tij, Alban Rashiti.

Menjëherë pas kësaj, forcat policore të Kosovës iu kundërpërgjigjen sulmit. Grupi i terrorist, numri i së cilëve fillimisht u tha se është 40 e më vonë u mor vesh se ishin 80, u ngujuan në Manastirin e Banjskës. Nga atje, po dyluftonin me Policinë e Kosovës. Krismat e dyluftimit dëgjoheshin në një perimetër prej më larg se dy kilometrash, prej ku edhe raportonte Insajderi ditën kritike.

Nga sulmet përfunduan të vrarë tre terroristë serbë nga Zveçani: Igor Milenkoviq, Bojan Mijailoviq dhe Stefan Nedeljkoviq.

Prej aksionit të Policisë së Kosovës në Banjskë u arrestuan katër terroristë serbë. Një pjesë e madhe e grupit, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, u larguan prej Manastirit të Banjskës, pas disfatës që pësuan. Nga ajo çfarë zbuluan krerët e shtetit të Kosovës, plani i këtij grupi terrorist u mësua se ishte aneksimi i pjesës veriore të Kosovës.

Një ditë më vonë, Policia e Kosovës arriti të futej në Manastirin e Banjskës. Aty u sekuestruan një sasi e konsiderueshme armatimi, mjaftueshëm sa për t’ia filluar një lufte.

Për këtë sulm terrorist, bashkësia ndërkombëtare kërkoi përgjegjësi nga shteti serb, ndërsa i shprehu ngushëllime Kosovës për rënien e Afrim Bunjakut në detyrë.

Pas presionit të shtuar ndërkombëtar, Serbia vendosi që ta arrestojë Milan Radoiçiq dhe t’ia konfiskojë dokumentet e identifikimit, në mënyrë që t’ia pamundësonte largimin nga Serbia. Megjithatë, deri më tani s’dihet gjë më për të.

Policia e Kosovës ka vazhduar patrullimin dhe lëvizjet operacionale në veri pas këtij sulmi, ku ka sekuestruar vilën e Radoiçiqit dhe kompleksin ‘Rajska Banja’, pika këto strategjike për grupin terrorist serb.

Me kalimin e kohës, PK-ja arrestoi edhe persona që ishin përfshirë në bashkëkryerje të sulmit terrorist dhe konfiskoi municione të tjera.

Gazeta Insajderi pati raportuar ekskluzivisht për një raport preliminar të lëshuar më 20 tetor të këtij viti nga autoritetet kosovare për sulmin terrorist në Banjskë.

Raporti preliminar i 20 tetorit i MPJD-së, i siguruar nga Gazeta Insajderi, tregonte për mënyrën se si grupi terrorist serb që realizoi sulmin në Banjskë u fut në territorin e Republikës së Kosovës.

“Paraushtarakët u larguan nga Novi Pazari i Serbisë pasditen e 23 shtatorit, largim ky i dokumentuar me fotografi (të bëra në orën 16:39) të gjetura në telefonin e njërit prej organizatorëve/drejtuesve të këtij grupi paramilitar”, thuhej në raport.

“Në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, grupi hyri në Kosovë duke përdorur rrugën ilegale pranë pikës kufitare të quajtur “Izvor”, rruga më e shkurtër që lidh Novi Pazarin në Serbi dhe fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit”.

Sipas deklaratës që ka dhënë njëri nga të arrestuarit, rrugëtimi i tyre ishte bërë në grup dhe në mënyrë të organizuar. Tre deri në katër vetura lëviznin për në drejtim të fshatit Banjskë.

Autoritetet kosovare në raport preliminar thonin se grupi terrorist serb vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, me armë ndërkombëtarisht të ndaluara, sipas Konventës së Otavës.

Të ngajshme

Kamberi: Serbia po diskriminon shqiptarët e Luginës edhe me ndarjet buxhetore

Erzana Fazliu

Dafina Zeqiri vjen me “Tranquilo”

Erzana Fazliu

Abdixhiku me ‘Turneun e Ndryshimit’ merr përkrahje të madhe në Ferizaj

Erzana Fazliu