Miliona euro të sponsorizuara nga bizneset në futbollin e Kosovës në vitin 2022 nuk do t’i nënshtrohen zbritjes deri në 30 për qind nga obligimi tatimor, siç parashihet me Ligjin mbi Sponsorizimin, ka thënë sot Safet Gërxhaliu, ekonomist dhe drejtues i një kompani këshillimi me bazë në Prishtinë.
Sipas Ligjit mbi sponsorizimin, bizneset që deklarojnë fitime kanë të drejtë të zbresin deri 30% nga obligimi tatimor duke sponsorizuar ndonjë ekip sportiv. Dhe për t’u pranuar ky sponsorizim si zbritje tatimore, Komisioni i MKRS-së lëshon një vërtetim.
Megjithatë, gjatë vitit 2022 bizneset që i kanë sponsorizuar klubet e futbollit të Superligës, apo edhe vet FFK-në, kanë hasur në probleme për të marrë Vërtetimin nga Komisioni me arsyetimin se FFK nuk ka qenë e licencuar në pjesën e dytë të vitit 2022 dhe e ka vazhduar licencën vetëm në qershor të vitit 2023.
“Megjithëse kampionati nuk është ndërprerë për asnjë moment dhe kampioni ynë është në gara evropiane, paratë e paguara nga bizneset për të financiar futbollin në këtë periudhë (kur FFK nuk ka pasur licencë) nuk po pranohen si pagesë për sponsorizim”, ka thënë Gërxhaliu.
“Nuk kërkohet që të anulohet kampionati i vitit të kaluar për shkak të moslicencimit të FFK, por kërkohet që të trajtohet në të njëjtën mënyrë edhe sponsorizimi nga bizneset, pra të pranohen pagesa e dëshmuar me faturë”, ka thënë ai.
Gërxhaliu ka deklaruar se vlera e sponsorizimeve të kontestuara e kalon vlerën prej 5 milionë euro per vitin 2022.
“ATK tashmë i ka ndëshkuar të gjitha bizneset që e kanë sponsorizuar futbollin në vitin 2022 për të cilat sponsorizime nuk ka vërtetime”, ka deklaruar ekonomisti.
Sipas Gërxhaliut, me këto veprime është dëmtuar ekonomia dhe sporti, “për shkak se tani bizneset hezitojnë që të bëjnë pagesa për sponsorizim nga frika se mund të ndodhë prapë, për ndonjë arsye tjetër të mos iu pranohet sponsorizimi”.