Telenews

Dialogu Kosovë – Serbi, Hill: Palët janë të ngulitura thellë në pozicionet e tyre, por po zgjat shumë

 

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka folur për procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për median serbe ‘Kurir’, Hill ka thënë se procesi i Brukselit është i mirë dhe palët janë të ngulitura thellë në pozicionet e tyre.

Megjithëse sipas tij, shumë janë të pakënaqur që po zgjat kaq shumë.

Nuk duhet t’ju them në Serbi se sa e vështirë është kjo çështje. Palët janë të ngulitura thellë në pozicionet e tyre. Mendoj se procesi i Brukselit është i mirë, megjithëse shumë janë të pakënaqur që po zgjat kaq shumë. Dikur u largova nga Ballkani dhe isha, ndër të tjera, në Poloni dhe Korenë e Jugut. Nuk e prisja që do të kthehesha në Ballkan dhe se çështja e Kosovës do të ishte ende aktuale”, është shprehur ai.

Hill më tej ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e bërë të qartë qëndrimin e SHBA-së lidhur me këtë çështje

“Në diplomaci më e rëndësishmja është se ekziston një mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të tilla dhe mendoj se ambasadori Lajçak është personi i duhur në kohën e duhur për këtë. Më pas është e nevojshme të kaloni nëpër të gjitha pyetjet dhe të shihni se çfarë mund të bëhet.

Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë muaj më parë se Asociacioni i Komunave Serbe është një element kyç që duhet të zbatohet. Në të njëjtën kohë, Kosova është gjithashtu e pakënaqur që qasja e saj në disa organizata ndërkombëtare është e bllokuar dhe ne duhet të merremi edhe me këtë”, ka thënë Hill.

Hill më tej ka shtuar se tani është koha për të mbështetur atë që po arrihet përmes dialogut.

“Është e lehtë të shikosh nga anash si dikush përpiqet të bëjë diçka dhe të japë këshilla, tani është koha për të mbështetur atë që po arrihet përmes dialogut nën kujdesin e BE-së”, ka shtuar Hill.

Të ngajshme

Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

KushtrimGuraj

Kamberi: Serbia po diskriminon shqiptarët e Luginës edhe me ndarjet buxhetore

Erzana Fazliu

Dafina Zeqiri vjen me “Tranquilo”

Erzana Fazliu