23-vjeçarja që u lëndua pasi u godit nga materialet e rënda që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së Prishtinës javën e kaluar, po vazhdon trajtimin në Klinikën e Mjekimit Intensiv.
Drejtori i Mjekimit Intensiv, Shaqir Uka, ka thënë se Elza Ujkani, po e merr terapinë e nevojshme dhe gjendja e saj po vëzhgohet nga ekipi mjekësor.
“Pacientja që po iu referoheni po vazhdon të qëndrojë edhe më tutje në Mjekim Intensiv. Vazhdon të qëndrojë në gjumë me barna, e kyçur në aparaturën mjekësor, vazhdon me marrë krejt terapinë çka duhet dhe ne vazhdojmë ta monitrojmë dhe të qëndrojmë në pritje me pa gjendjen e përgjithshme të saj”, tha Uka.
Ndryshe, incidentin te ndërtesa e Komunës në Prishtinë ndodhi të enjten e kaluar.
Policia ka bërë të ditur se tashmë ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Ndërsa të enjten vonë, edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.