Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka thënë të premten se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.
Hamasi, grup palestinez që udhëheq Rripin e Gazës, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Gjykata ka thënë se nuk do të refuzojë rastin, siç ka kërkuar Izraeli.
Vendimi është në lexim e sipër.
Në mesin e masave të kërkuara prej Afrikës së Jugut, përfshihet ndalja e menjëhershme e operacionit ushtarake të Izraelit në Gazë, si pasojë e të cilit janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.
Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.
Kërkesa për ndëshkim të Izraelit është bërë prej Afrikës së Jugut në dhjetor të vitit 2023.
Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid.
Për një vendim të gjykatës për supozimet e Afrikës së Jugut për kryerjen e gjenocidit nga ana e Izraelit pritet të kalojnë vite.
Izraeli i ka konsideruar akuzat ndaj tij si të “pabaza”.
Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.
Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.
Disa janë liruar ndërkohë.
Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri. /REL