Telenews

Nga ‘tentim grabitje’ në ‘tentim vrasje’: Katër të arrestuar në Rahovec, sekuestrohen armë e rreth 150 fishekë

 

 

Hetimi i Policisë që nisi për një rast që u denoncua si tentim grabitje më 24 shkurt në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec, tashmë ka marrë rrjedhë tjetër, pas provova që janë siguruar. Rasti është ricilësuar dhe katër persona të dyshuar janë arrestuar nga Policia.

Lidhur me këtë rast, Policia Rajonale në Gjakovë ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një aksion, që rezultoi me arrestimin e të dyshuarve dhe sekuestrimin e dy armëve e rreth 150 fishekëve.

Katër të arrestuarit në bashkëkryerje po dyshohet se kanë kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” dhe pas analizimit të dëshmive ka rezultuar se nuk ka të bëjë me veprën “Tentim grabitje”.

Të njëjtit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Në vendin e ngjarjes  janë gjetur 70 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm ndërsa gjatë kontrollit në katër shtëpitë e tyre si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, një pushkë gjuetie, dy pistoleta dhe 74 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Dy prej të dyshuarve kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore.” – thuhet në raportin e Policisë.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale në Gjakovë, Sheremet Elezaj.

“Pas mbledhjes dhe analizimit të të gjitha fakteve dhe dëshmive lidhur me rastin e raportuar, me vendim të prokurorit të shtetit rasti është ri-cilësuar si “vrasje në tentativë”. Në këtë fazë të hetimeve nuk ka prova dhe dëshmi të cilat bëjnë të ketë dyshime për tentim-grabitje edhe pse ne do të vazhdojmë me hetime.” – tha Elezaj.

Të ngajshme

Ish-kreu ushtarak i Ukrainës, paralajmëron përshkallëzim global të luftës

KushtrimGuraj

Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

KushtrimGuraj

Kamberi: Serbia po diskriminon shqiptarët e Luginës edhe me ndarjet buxhetore

Erzana Fazliu