Telenews

Universiteti i Prishtinës sqarohet publikisht për rastin e profesorit që akuzohet për ngacmime seksuale

 

 

Universiteti i Prishtinës ka reaguar më në fund zyrtarisht për rastin e shumëpërfolur ku një profesor i tyre po akuzohet për ngacmime seksuale të studenteve.

Profesori i Matematikës në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi dyshohet se ngacmoi seksualisht studentet e drejtimit të tij, derisa 27 prej tyre e kanë raportuar tek institucionet përgjegjëse për shqetësimet që i kanë pasur nga ai, përcjellë Telenews.al

Shqetësimet e studenteve janë drejtuar edhe zyrtarisht tek organet përgjegjëse brenda UP-së, derisa lidhur me rastin thuhet se është duke kryer hetimet dhe veprimet e nevojshme Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës.

Gjatë ditës së sotme, ky Universitet ka reaguar nëpërmjet adresës elektronike me një sqarim për media, duke treguar rrethanat aktuale me rastin.

Aty thuhet se Këshilli i Etikës i UP-së po zbaton procedurat e përcaktuara me ligj dhe masat disiplinore ndaj profesorit në fjalë.

Sipas reagimit nga UP-ja, rasti në fjalë pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023), derisa përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës pranë UP-së vetëm në mes të marsit 2024, porse kurdo që një rast paraqitet, nga UP-a thonë se ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, veçse Këshilli vlerëson se rasti meriton një hapësirë kohore për të punuar i lirë. /Telenews.al

Lexojeni reagimin e plotë të UP-së dhe pa ndërhyrje:

 KOMUNIKATË PËR MEDIA 

Të nderuar/a

Bazuar në informatat e ofruara nga Këshilli i Etikës, në lidhje me denoncimin e paraqitur ndaj Prof.Xh.K., dhe procedurat dhe standardet që ky Këshill zbaton, Universiteti i Prishtinës sqaron si në vijim:

Si për çdo rast, edhe në rastin në fjalë, Këshilli i Etikës zhvillon procedurat e përcaktuara dhe të zbatueshme ligjore, përfshirë në mënyrë të posaçme procesin e përcaktuar në Rregulloren përkatëse të UP-së për procedurat dhe masat disiplinore.

Rasti në fjalë, nuk ka përbërë përjashtim nga ky rregull. Sqarojmë se rasti i adresuar, pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023). Përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës vetëm në mes të marsit 2024. Kurdo që një rast paraqitet, ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, por nëse është dashur kaq kohë e gjatë për ta paraqitur, Këshilli vlerëson se meriton një hapësirë kohore, që gjithsesi është shumë më e arsyeshme se kjo më sipër, për të punuar i lirë dhe, mbi të gjitha, për t’u siguruar që dëgjon dhe shqyrton deklarimin e secilës palë, të përfshirë në këtë çështje dhe që duhet dëgjuar. Në këtë drejtim, Këshilli vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës.

Përkundrejt konsideratave të mësipërme, duke pasur parasysh natyrën e pretendimit, Këshilli i Etikës megjithatë ka pranuar ta trajtojë këtë rast me urgjencë, gjë që është duke e bërë. Mbi këtë bazë, Këshilli deri më tani ka mbajtur tri seanca, të cilat janë janë zhvilluar me qëllim dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga vetë pala denoncuese.

Dëgjimi i dëshmitarëve nga pala denoncuese është hap procedural i domosdoshëm, për të shmangur një rezultat të kontestueshëm dhe për të dhënë garancinë se për rastin është gjykuar e vendosur drejt.  Në një rend demokratik dhe sistem që udhëhiqet nga sundimi i ligjit, Këshilli i Etikës kujdeset që të shamanget arbitrariteti, duke ju mundësuar palëve në procedurë të drejtën e tyre për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur pretendimet e tyre në mënyrë të plotë e të barabartë. Kjo pasi parimi themelor për një proces të drejtë, të paanshëm dhe objektiv vlen edhe për rastet e shqyrtuara nga Këshilli i Etikës.

Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit.

Në kuadër të trajtimit të paanshëm dhe objektiv, është e domosdoshme që të gjitha palët të përmbahen nga çfarëdo mjeti e forme presioni. Këshilli i Etikës ka refuzuar dhe do ta refuzojë presionin si modalitet të funksionimit të tij, sepse një gjë e tillë është në interesin më të mirë të funksionimit institucional dhe të rendit juridik, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Sigurisht, Këshilli i Etikës, sikurse vetë Universiteti i Prishtinës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës.

UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore.

Me respekt,

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, 

Të ngajshme

Putin e falënderon Vuçiqin që shkoi në Rusi: U përpoqën që ta bindnin të mos merrte pjesë

Donat Hashani

Kryeziu: Nëse vazhdon kështu moskonstituimi i Kuvendit, mund të ndërhyjnë… (VIDEO)

Donat Hashani

Lëvizja Vetëvendosje sot mban mbledhje të rëndësishme

Donat Hashani