Asambleja Parlamentare e NATO-s këtë të hënë do të shqyrtojë kërkesën e Kuvendit të Kosovës për avancimin e statusit nga vëzhgues në anëtar të asocuar.
Deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Haliti, që përfaqësojnë Kosovën, janë optimistë për një rezultat pozitiv.
Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po mbahet në Sofje.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të marrë pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, ku këtë të hënë do të mbajë edhe fjalim në seancën plenare.
Ndërkohë, delegacioni i Serbisë i ka dorëzuar një letër delegacionit amerikan në NATO, duke kërkuar që Asambleja të mos miratojë këtë avancim.
Serbia i kërkon NATO-s të mos ia avancojë statusin Kosovës
Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.
Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.
Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.
Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.
Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

