Telenews

Kuratori Gazmend Ejupi jep detaje nga Ekspozita “Reporting House”

Në emisionin “Kallxo Përnime” u transmetua reportazhi që flet për punën kolosale që është bërë për shndërrimin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” në hapësirë kulturore, ku do të hapet ekspozita “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”.

Të hënën më 10.06.2024, në ora 18:00, do të lansohet ekspozita “REPORTING HOUSE”.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Kuratori i kësaj ekspozite, Gazmend Ejupi, i pyetur pse ka zgjedhur të kurojë punën e gazetarëve tha se “ jam adhurues i videove dhe mendoj që video është mediumi më i fuqëshëm që nga vitet ‘60”.

“Narrativa me dy komponente, artin dhe gazetarinë, mendoj që do të jetë një nënshkrim për të ardhmen edhe për ekspozitën e përhershme që e kemi folë” – theksoi Ejupi, raporton Kallxo.com

Në emisionin “Kallxo Përnime”, kuratori i “Reporting House” tregoi se në ekspozitë do të jenë të vendosur ekrane të cilat do të transmetojnë materiale nga arkivat e mediave ndërkombëtare e vendore, do të jenë të vendosura fotografi, instalacione e vepra të artistëve.

“Unë po e shoh platformën e parë për me e kuptu historinë, është shumë me rëndësi. Unë mendoj që Prishtina ka kontribu shumë. Unë vetë kam qenë në fillim të viteve ’90 student, kam qenë në protesta. Prishtina ka një histori shumë të madhe për kontributin që e ka bërë dhe kjo është nënshkrim i ‘Reporting House’ që ka me e dhënë atë mesazh” – tha Ejupi.

“Unë mendoj që qekjo ekspozitë e jona do ta lërë një lloj nënshkrimi, unë besoj që ka vlera shumë të mëdha se kena punu shumë e po i harrojna gjërat” – theksoi ai.

Ekspozita “REPORTING HOUSE” u ofron publikut vendor dhe vizitorëve të huaj një pasqyrim të hollësishëm të luftës europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

Kjo ekspozitë, sipas njoftimit, shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit 2024.

Ekspozita është realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi.

Konferenca për shtyp do të mbahet më 10.06.2024 në ora 09:30 në hapësirën e ekspozitës.

source

Të ngajshme

“Kemi fëmijë, pleq” – Banorët e fshatit Bresje ankohen për mungesën e rrymës që 12 orë

KushtrimGuraj

OSHP ende pa Raport Vjetor për 2023, sfida për transparencën vazhdon

KushtrimGuraj

Veseli: Reagimet ndërkombëtare ndaj sulmit në kanalin e Ibrit, më të fuqishme se në rastin e Banjskës

KushtrimGuraj