Telenews

QKUK-ja me laboratorë të ndryshkur, por saktësia e analizave s’vihet në dyshim

Në ambiente me lagështi e ndryshk, laborantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kryejnë mijëra analiza në ditë – të gjakut, të pështymës, të urinës e të tjera.

Inventari i dëmtuar dhe mungesa e ventilimit ua vështirësojnë punën edhe më shumë, edhe pse aparaturat janë kryesisht të reja.

“Nuk kemi as ku t’i vendosim mostrat për analiza. Jemi shumë ngushtë”, thotë një infermiere e laboratorit të Internes në Klinikën e Biokimisë, që nuk do të identifikohet.

Aparat i vjetër për sterilizim

Biokimia ka nën menaxhim 12 laboratorë që janë të shpërndarë në klinika të ndryshme të QKUK-së.

REL-i vizitoi disa nga ta – në Klinikën e Pediatrisë, të Infektives, të Dermatologjisë e të tjera.

Në Pulmologji pa se laboratori ishte improvizuar në një korridor, ndërsa frigoriferi ku ruheshin mostrat ishte i vogël dhe i ndryshkur.

Frigoriferi i laboratorit në Klinikën e Pulmologjisë

Në Pediatri, përveç aparaturës për analiza që është e re, ambienti i punës dhe inventari duken tejet të vjetër.

“Shpesh, në hapësirat e ngushta ku punojmë, jemi tre ose më shumë teknikë e laborantë”, thotë një punonjëse e laboratorit aty.

Laboratori në Klinikën e Pediatrisë

Në laboratorin e Emergjencës, mungesa e hapësirave bën bashkë epruvetat, dokumentet e papuçet e stafit.

Laboratori në Klinikën e Emergjencës

Ndërsa në Infektive, dollapi ku ruhen dokumente, duket se mezi qëndron.

Laboratori në Klinikën Infektive

Për shkak të kushteve të këqija, Klinika e Kardiologjisë ka më shumë se nëntë muaj që e ka zhvendosur laboratorin e saj në Klinikën e Biokimisë.

Në Kardiologji merren vetëm mostrat, ndërsa në Biokimi kryhen analizat.

Një infermiere thotë se stafit i duhet të endet dhjetëra herë në ditë në mes të dy klinikave.

Vendi ku merren mostrat në Klinikën e Kardiologjisë

Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, thotë se të gjithë laboratorët “janë lënë nën mëshirën e kohës”.

“Në shumicën e tyre nuk ka ventilim, nuk ka ndriçim e nuk duhet të ketë as lagështi… Unë e kuptoj se nuk mund të ketë investime të shpejta e të shtrenjta, por inventarë duhet të kemi, tavolina e karrige”, thotë Veseli për Radion Evropa e Lirë.

Dy lavamanë pa rubinetë dhe pa sapun, të vendosur pranë tavolinave të punës së laborantëve në Klinikën e Kirurgjisë

Dy lavamanë pa rubinetë dhe pa sapun, të vendosur pranë tavolinave të punës së laborantëve në Klinikën e Kirurgjisë

Pavarësisht kushteve të tilla prej vitesh, Veseli siguron se rezultatet e analizave janë gjithmonë të sakta.

“Ato nuk mund t’i kontestojë askush, faktet flasin. Vitin e kaluar kemi pasur mbi dy milionë analiza”, thotë Veseli.

Të ngajshme

Incident në Podujevë, dyshohet për gjuajtje me armë zjarri

Valjeta Turkaj

Kurti dyshon s’e do ta bëjë qeverinë të dielën: Nuk është kollaj, është helmu atmosfera – ka shumë xhelozi e inat

Valjeta Turkaj

Moska thotë se s’ka plane për takimin Lavrov-Rubio para samitit mes liderëve shtetërorë në Budapest

Valjeta Turkaj