Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën e sotme (3 korrik) ditë zie shtetërore, në nderim të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën e 1 korrikut, në moshën 88 vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga zyra e presidentes, përmes një komunikate për media, të martën.
“…në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare”, thuhet në njoftim
Aty theksohet se zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Në qershor të vitit të kaluar, Osmani e kishte dekoruar shkrimtarin Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Kosova për personalitetet më të shquara të kombit.
Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, e para e vendit do të marrë pjesë në varrimin e Kadaresë.
Nga ana tjetër, qeveria e Shqipërisë ka shpallur dy ditë zie në nderim të shkrimtarit Kadare.
Vendimi është marrë në mbledhjen e ekzekutivit shqiptar, të hënën.
Kryeministri Edi Rama do të jetë pjesë e Komisionit të Posaçëm Shtetëror që do të ngrihet për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore që do të mbahen në nder të Kadaresë.
“Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Tiranë, ditën e mërkurë, datë 3.7.2024, përkatësisht, nga ora 9:00 deri në orën 11:00, dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30”.