Para vjeshtës nuk pritet të ngrihet ndonjë aktakuzë për rastin e sulmit në Banjskë, thonë burime të Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Në atë kohë do të bëhet një vit që kur grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në këtë fshat në veri, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, shkruan Telenews.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Hetime, paralelisht, është duke kryer edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Deri ku mbërritën hetimet në Kosovë?
Burimet e Radios Evropa e Lirë në Prokurorinë Speciale të Kosovës thonë se “punët rreth rastit janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiqit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
“Pas përfundimit dhe ekzaminimit të disa raporteve periferike, do të procedohet tutje”, thonë ato.
Hollësi të tjera nuk japin, pos që aktakuza nuk pritet të ngrihet para vjeshtës./Telenews/

