Kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka thënë se hapja e urës mbi Ibër “kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e serbëve në Mitrovicën e Veriut” dhe u ka bërë thirrje vendeve të QUINT-it që të mos lejojnë një gjë të tillë.
Gjatë vizitës së tij në Nish, ai ka pretenduar se hapja e urës në Mitrovicën e Veriut do të ishte “një fatkeqësi”.
“Kjo i anulon drejtpërdrejt të gjitha bisedimet, të gjitha marrëveshjet dhe e bën të pakuptimtë procesin e mëtutjeshëm të dialogut, edhe pse Serbia “mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, se është në interesin tonë, por drejtpërdrejt kërcënon sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Mitrovicë, d.m.th. në Mitrovicën e Veriut”, ka thënë Vuçeviq për televizionin publik serb, RTS.
Vuçeviq u ka bërë apel të gjitha vendeve të QUINT-it që të mos e lejojnë dhe “të mos luajë askush me të”.
“Edhe KFOR-i duhet të bëjë atë që është misioni i tij. Kam krijuar përshtypjen, në bazë të asaj që ka thënë komandanti i KFOR-it, dhe nga ajo që më ka thënë shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, se KFOR-i nuk do të jetë i butë dhe nuk do ta lejojë këtë”, ka pretenduar Vuçeviq.

