Telenews

Ndotje alarmante e ajrit nga termocentralet në Komunën e Obiliqit (VIDEO)

Termocentralet në komunën e Obiliqit vazhdojnë të shkaktojnë ndotje të madhe për banorët lokalë, ndërsa situata në vend që të rregullohet, duket të jetë në përkeqësim çdo ditë.

Një sasi e konsiderueshme pluhuri lëshohet rregullisht nga këto termocentrale, veçanërisht nga Kosova A dhe Kosova B, duke u përhapur në ajër dhe duke krijuar kushte të vështira për jetesën e qytetarëve të kësaj komune dhe atyre afër saj si: Fushë Kosova, Prishtina, Vushtrria e Drenasi, shkruan Telenews.al

Pamja është alarmante: pluhuri duket sikur po bie shi, duke mbuluar zonën përreth dhe duke ndikuar negativisht në shëndetin e popullsisë. Kjo situatë vjen qartë si pasojë e mungesës së filtrave në termocentrale, të cilët vazhdojnë të funksionojnë pa ndonjë kontroll efikas të ndotjes. Banorët e Obiliqit kanë qenë dëshmitarë të kësaj ndotjeje për vite me radhë, me valë të shtuara të pluhurit toksik që ndikon në frymëmarrje, ndot ambientin dhe madje prek edhe ujin e tokës bujqësore. Problemi ka qenë gjithmonë i pranishëm, por gjatë javëve të fundit është bërë më i rëndë dhe i padurueshëm, sidomos në periudhat me erë kur pluhuri përhapet në distanca më të mëdha.

Telenews.al ka siguruar një video inqizim, ku shihet se si tymtari i Kosovës B, lëshon pluhur të dendur në hapësirën ajrore dhe sigurisht që shihet qartë se ai po funksionon pa filtra që të cilët nëse do të ishin të vendosur, në kushte normale do të limitonin në maksimum dëmin nga këto objekte vdekjeprurëse.

Kliko këtu për të parë videon

Ekspertët elektroenergjetikë në vend, për Telenews.al kanë treguar se si ndikon vendosja e fltrave në termocentrale, duke theksuar se vendosja e filtrave në termocentralet me qymyr, si Kosova A dhe B, do të ndihmonte në reduktimin e ndotjes së ajrit dhe lirimin e pluhurit të dëmshëm që po ndikon negativisht tek banorët e Obiliqit. Filtrat, të cilët zakonisht janë elektrostatikë ose me baza qeramike, kanë aftësinë të kapin grimcat e pluhurit të imët dhe ndotësit tjerë të emetuar gjatë djegies së qymyrit. Kjo do të përmirësonte cilësinë e ajrit dhe do të ulte ndjeshëm sasinë e materieve të ngurta dhe të gazrave toksikë që përhapen në ambient.

Ata shtojnë se filtrat mund të kapin rreth 95% të grimcave të vogla dhe ndotësve, duke ndihmuar në mbrojtjen e shëndetit të banorëve nga sëmundjet e frymëmarrjes, alergjitë, dhe rreziqet e tjera shëndetësore të shkaktuara nga ndotja afatgjatë. Gjithashtu, vendosja e filtrave do të zvogëlonte ndotjen e tokës dhe ujit, duke ndihmuar në mbrojtjen e mjedisit të përgjithshëm dhe biodiversitetit të zonës.

Mungesa e filtrave modernë dhe sistemet e vjetruara të termocentraleve, të cilat vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë primitive, kanë krijuar një cikël të vazhdueshëm ndotjeje që duket se nuk do të ndalet së paku edhe për sa kohë institucionet relevante nuk marrin masa.

Pavarësisht premtimeve të qeverisë për ndërmarrjen e masave në momentin që erdhën në pushtet, deri më tani nuk është bërë asgjë për të realizuar remontin e domosdoshëm në termocentralet Kosova A dhe B. Qeveria kishte deklaruar synime të qarta për përmirësimin e infrastrukturës së këtyre centraleve, duke u zotuar për instalimin e filtrave të rinj dhe përmirësimin e teknologjisë. Megjithatë, veprimet kanë munguar krejtësisht, dhe asnjë fond apo projekt konkret nuk është ndarë për zgjidhjen e problemit.

Banorët e Obiliqit kanë ndjerë mungesën e veprimit jo vetëm nga qeveria qendrore, por edhe nga Komuna e Obiliqit. Edhe pse kanë kërkuar që komuna të ndërmarrë hapa ligjorë për të detyruar ndërmarrjet energjetike të përmbushin standardet e ndotjes, as nga kjo anë nuk kanë marrë mbështetje. Struktura komunale nuk ka bërë asnjë përpjekje konkrete për të kërkuar përgjegjësi nga KEK-u, duke lënë banorët në një situatë të pashpresë dhe pa mbrojtje ligjore. Shumë prej tyre ndihen të harruar dhe të izoluar përballë kësaj ndotjeje, me pasoja të qarta shëndetësore dhe mjedisore.

Gjendja e rëndë e termocentraleve është e dukshme jo vetëm nga pluhuri i përhapur, por edhe nga infrastruktura e dobët dhe mungesa e teknologjisë moderne që do të duhej të reduktonte ndotjen. Ndërsa banorët vazhdojnë të përballen me këtë ndotje të përditshme, mungesa e ndërhyrjeve qeveritare dhe komunal ngre pikëpyetje serioze për përkushtimin e autoriteteve ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit publik. Ndërkohë, për shumë prej tyre, ndotja është bërë pjesë e përditshmërisë, një rrezik i përhershëm që rrit pasigurinë për të ardhmen e tyre dhe të brezave të rinj. /Telenews.al/

Të ngajshme

Kurti: Vuçiq synon hakmarrjen, ne duhet të jemi të përgatitur për këtë

KushtrimGuraj

Pse na dobësohet shikimi kur bie borë?

KushtrimGuraj

Osmani e ka përgëzuar USAID’in për miqësinë e palëkundur për Kosovën

KushtrimGuraj