Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se Kosova duhet të respektojë marrëveshjen e CEFTA-së dhe jo të tregohet kokëfortë “pa fuqi ekonomike dhe politike në Ballkan”.
Shahini ka thënë se Kosova duhet të jetë e dëgjueshme sepse sipas tij, kjo ndihmon në mundësinë e integrimit dhe zhvillimit ekonomik.
“Realisht shteti gjerman është një nga shtetet më të fuqishme në Evropë dhe është duke kërkuar nga Kosova që të respekton marrëveshjet ndërkombëtare siç është CEFTA e cila Kosovës i ndihmon shumë në aspektin e lirimit nga taksat e importit dhe eksportit dhe është shtete e Ballkanit Perëndimor e përfshirë të gjithë aty. Ne e vlerësojmë që Procesi i Berlinit është një nga mundësitë e mëdha të cilat i hap Kosovës mundësi të qarkullimit të lirë të mallit të kapitalit të investimit, të harmonizimit të politikave për zhvillim dhe integrim prandaj Kosova duhet të ketë parasysh kërkesat e miqve ndërkombëtarë që të jetë e dëgjueshme dhe jo të paraqitet kokëfortë pa fuqi ekonomike dhe politike në Ballkan”, ka thënë Shahini.
Ai potencoi se nëse Kosovës i ofrohen një garancion që të jetë në CEFTA pa fusnotë, do të jetë në të mirën e vendit.
“Nëse Kosovës i ofron një garancion që Kosova do të jetë në CEFTA pa fusnotë, kjo është një integrim më lartë. Nëse Kosovës do t’i garantohet në një afat të shkurtër do të jetë qarkullimi i lirë të qytetarëve të Kosovës në Bosnje dhe anasjelltas dhe që kanë obligim të dy palët që të respektojnë Procesin e Berlinit, kjo do të ishte mirë që Kosova do të bënte një hap pozitiv në drejtim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave”, ka potencuar ai.
Sipas tij, nëse vendi ynë përjashtohet nga Procesi i Berlinit humb rreth 1 miliard euro, dhe Kosova do të kthehet 10 vite mbrapa. Vlerëson se bllokada ndaj produkteve serbe është e pavlerë pasi sipas tij shkëmbimi tregtar me këtë shtet është mbi 250 milionë euro.